AktualitetRajoniTë fundit

Rivalët perëndimorë të Rusisë po e rritin angazhimin e tyre në Ballkan

Nga Clare Nuttall

 

Dërgimi nga Moska i një të dërguari të nivelit të lartë në Serbi, ndodh jo vetëm në mesin e krizës diplomatike mbi pushtimin e pritshëm të Ukrainës nga Rusia. Ai pason gjithashtu edhe përpjekjet e Francës, Britanisë së Madhe dhe fuqive të tjera perëndimore për të ri-menduar strategjitë e tyre, dhe për të rritur angazhimin me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Lajmi se Nikolai Patrushev, sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, do të pritet në Beograd për bisedime me presidentin Aleksandar Vucic është raportuar gjerësisht nga mediat pro-qeveritare në Serbi. Sipas raportimeve, bisedimet do të fokusohen tek paralajmërimi i Moskës, se mund të ketë rekrutim të mercenarëve nga Shqipëria, Bosnja dhe Kosova për të luftuar në Ukrainë, një pretendim që është mohuar nga zyrtarët e të tria shteteve.

Ndërsa NATO është zgjeruar në Ballkanin Perëndimor, Serbia së bashku me Hungarinë dhe entitetin serb të Bosnjës, Republika Srpska, është tani një nga shtetet e pakta në Evropë, që ka një qëndrim miqësor ndaj Rusinë.

Pavarësisht qëndrimit të dukshëm pro-rus të shumë mediave serbe, Beogradi ka shpallur neutralitetin e tij në konfliktin Rusi-Ukrainë. Vucic e ka afruar vendin e tij më pranë anëtarësimit në BE, duke ruajtur ndërkohë marrëdhënie miqësore me Rusinë, Kinën, SHBA-në, por edhe me një sërë fuqish të nivelit të dytë si Turqia.

Ndërsa shtetet, përfshirë Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, e kanë lënë pas me vendosmëri sferën rusë të ndikimit duke iu bashkuar NATO-s, Rusia ka synuar që të mbajë aleatët e saj në Beograd dhe Banja Luka, duke  mbështetur me vendosmëri Serbinë në fushatën e saj kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, dhe duke i ofruar mbështetje financiare anëtarit serb të presidencës boshnjake me prirje separatiste, Milorad Dodik.

Njëkohësisht, vitet e fundit për Ballkanin Perëndimor ka pasur mesazhe të përziera nga ana e udhëheqësve perëndimorë, pasi procesi i anëtarësimit në BE për shtetet e rajonit ka ngecur në vend. Nën administratën Trump, në Shtëpinë e Bardhë pati përpjekje për ta rigjallëruar procesin e normalizimit të raporteve midis Serbisë dhe Kosovës.

Edhe pse mund të ishte e nxitur më shumë për hir të një fitoreje të shpejtë në politikën e jashtme, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ajo përpjekje ndodhi me koston e një shkëputjeje të dukshme ndërmjet politikës së SHBA-së dhe BE-së në rajon.

Megjithatë, që nga ajo kohë, në Ballkan ka pasur disa ndryshime të rëndësishme nga ana e fuqive kryesore perëndimore të interesuara për rajonin. Administrata e re e SHBA nën presidentin Joe Biden, i është rikthyer një qasjeje shumëpalëshe të politikës së jashtme, duke përfshirë bashkëpunimin e ngushtë me BE-në për çështje si marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.

Edhe mbajtësja aktuale e presidencës së Këshillit të BE-së, Franca, synon të ri-angazhohet me rajonin, ndërsa Britania e Madhe po kërkon të ripërcaktojë rolin e saj në politikën e jashtme pas Brexit. Mbetet për t’u parë se si do të ndryshojnë marrëdhëniet e Gjermanisë pas largimit të ish-kancelares Angela Merkel, e cila është shumë e respektuar në rajon.

Nevoja për angazhim ndërkombëtar në këtë rajon, është bërë gjithnjë e më urgjente. Sytë e botës janë tek kërcënimi i luftës në Ukrainë, por Ballkani Perëndimor ka krizën e tij të afërt: shpërbërja e mundshme e Bosnjës, mund të çojë në një konflikt të ri në rajon.

Pas viteve të një retorikës të zjarrtë separatiste nga Dodik, deputetët në entitetin serb të Bosnjës, Republika Srpska, votuan në fund të vitit të kaluar për t’u tërhequr nga ushtria boshnjake dhe institucionet e tjera të nivelit shtetëror. Kjo lëvizje u dënua ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, por që atëherë janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm, si miratimi i një ligji për agjencinë e barnave në këtë njësi federative.

Bashkë me mbështetjen e vendosur për Serbinë për Kosovën, Rusia ka ndezur “zjarret” e separatizmit në Bosnje, ku Dodik pretendon se ka mbështetjen e Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping, dhe e ka sfiduar hapur autoritetin e përfaqësuesit të lartë të komunitetit ndërkombëtar.

Ndërkohë në vend të qasjes së “ujkut të vetmuar” të viteve administratës Trump, SHBA-ja po bashkëpunojnë tani shumë ngushtë me BE-në. Kjo u pa nga turi i fundit i përbashkët në Beograd dhe Prishtinë nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajcak.

“Ballkani Perëndimor, është një rast unik ne mesin e mundësive për bashkëpunim transatlantik, pasi BE-ja ka udhëheqjen dhe integrimi mbetet politika e saj kryesore” – shkruan Allison Carragher, studiuese në thinj-tankun Carnegie Europe, në një analizë mbi bashkëpunimin SHBA-Evropë.

Carragher vuri në dukje se “zhvillimet shqetësuese kanë nxitur një përgjigje transatlantike”. Sipas saj “problemet aktuale në Ballkanin Perëndimor mbartin një ndjenjë urgjence që nuk është ndjerë që nga vitet 1990”. “Çdo përshkallëzim i situatës në kufirin Serbi-Kosovë apo  brenda Bosnjës, mund të shkaktojë konflikt të armatosur”- thekson ajo.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, Britania caktoi Marshallin Stuart Peach si të dërguarin e posaçëm në Ballkanin Perëndimor, si pjesë e angazhimit të Londrës për stabilitet dhe zhvillim në këtë rajon. Në një debat në parlamentin britanik më 2 dhjetor, politikanët e qeverisë ashtu edhe nga të opozitës, e kritikuan humbjen e interesit për Ballkanin dhe paralajmëruan mbi ndikimin rus në rajon.

Elementët separatistë në Bosnjë janë inkurajuar nga mbështetja e zbehur vitet e fundit për zgjerimin e BE-së, në shumë kryeqytete të Evropës Perëndimore. Të hutuar nga çështje të tilla si kriza e emigrantëve dhe Brexit, oreksi i politikanëve për të pranuar anëtarë të rinj nga Evropa Juglindore është zbehur.

Dekurajimi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, arriti kulmin e tij në dhjetorin e vitit 2020, kur liderët e BE-së nuk arritën që të çelin dritën jeshile për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se të dyja këto vende përmbushin të gjitha kushtet e vendosura. Kjo sepse Bullgaria vendosi veton ndaj Shkupit.

Tani programi i presidencës franceze të Këshillit të BE-së flet për “angazhimin në Ballkanin Perëndimor”. “Presidenca do të sigurojë vazhdimin e negociatave me vendet kandidate, në përputhje me metodologjinë e re të miratuar në konkluzionet samitit të 15 marsit 2020”- thuhet në të.

Edhe në një fjalim në Parlamentin Evropian në janar, presidenti frencez Emmanuel Macron premtoi t’i japë këtij rajoni një “perspektivë të qartë të anëtarësimit në union”. Por sondazhet më të fundit, kanë treguar se votuesit francezë nuk janë shumë entuziastë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ndaj rritja e angazhimit francez në rajon, ka gjasa të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve presidenciale të muajit prill./ Marrë me shkurtime  nga bne IntelliNews

 

Fraksion.com