AktualitetRajoniTë fundit

Koalicioni i partive pro-ruse bllokon akset rrugore në Mal të Zi

Koalicioni i partive pro-serbe dhe pro-ruse Fronti Demokratik organizoi mbrëmjen e së enjtes protestën me moton “Bllokimi kundër tradhtisë”, duke bllokuar 17 akse rrugore në 15 qytete të Malit të Zi, që zgjatën nga ora 18:30 deri në orën 20:00.

Ky veprim i Frontit Demokratik u organizua për shkak të pakënaqësisë për formimin e qeverisë së pakicës. Përfaqësuesi i këtij koalicioni, Andrija Mandiq vuri në dukje se do të mbrojnë me të gjitha mënyrat vullnetin zgjedhor.

“Nuk do të lejojmë që fitoren zgjedhore t’ia falim Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit Milo Gjukanoviq”, tha zoti Mandiq.

Në protestë u kënduan këngë që e quajnë Kosovën djepin e Serbisë dhe u mbështetën republikat e vetëshpallura të Ukrainës Lindore.

Ndaj kësaj proteste reagoi PEN Qendra e Malit të Zi, e cila në dritën e zhvillimeve të fundit në Ukrainë shpreh shqetësimin edhe për situatën e sigurisë në Mal të Zi.

“Dihet se liderët e Frontit Demokratik janë mbështetës të hapur të presidentit rus Putin dhe partisë së tij, të cilët me mbështetjen ruse në vitin 2016 u përpoqën për një grusht shteti në Mal të Zi”, thuhet në reagimin e tyre.

Këto ditë po zhvillohen bisedime ndërpartiake për formimin e një qeverie të pakicës dhe pritet që në fillim të marsit të miratohet në parlamentin e Malit të Zi./voa

 

Fraksion.com