Ambasadori Shkurov: Falënderojmë Shqipërinë, kemi nevojë për mbështetje dhe ndihmë aktive
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov falënderoi sot qeverinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen.
Ai theksoi se, Ukraina ka nevojë për një mbështetje dhe ndihmë aktive.
Në një deklaratë për mediet, Shkurov u shpreh se, “sot natën Rusia ka kryer një agresion përmes një sulmi ushtarak ndaj Ukrainës. Ukraina është e sulmuar përgjatë gjithë perimetrit kufitar. Bombardimet janë kryer mbi objekte ushtarake, por edhe mbi qytete paqësore, duke përfshirë këtu edhe sulme nga territoret e përkohësisht të okupuara si Donbas dhe Krime, si dhe nga rajoni juglindor”.
“Ky është një akt lufte, sulmi ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, shkelje e thellë e Hartës se OKB-së dhe normave dhe parimeve kryesore të ligjit ndërkombëtar”, tha ambasadori ukrainas.
Ai nënvizoi se, “është shpallur një gjendje ushtarake në të gjithë territorin e Ukrainës, është mbyllur hapësira ajrore e Ukrainës. Kufijtë perëndimorë janë të hapura dhe punojnë nën rrëgjimin e sigurisë së lartë”.
“Në kufijtë e Ukrainës me Bjellorusinë dhe Rusinë, vazhdojnë veprime luftarake. Me vendimin e Presidentit ukrainas, të datës 24 Shkurt, janë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë”, theksoi Shkurov.
“Presidenti i Ukrainës ka prezantuar në “Verhovna Rada” projekt ligjin për mobilizimin i përgjithshëm ushtarak. Ka goditje të drejtpërdrejta ndaj ndërtesave të banuara, janë të shkatërruara licetë në afërsi me Kievin, disa objekte të tjera të infrastrukturës”, tha ai.
“Aktualisht, mbështetjen zyrtare ndaj Ukrainës kanë shprehur Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Ekonomisë dhe Financave të Shqipërisë, përfaqësimi i kryesisë së OKB-së në Shqipëri, liderët e partive politike”, tha Shkurov, i cili shtoi se, “populli i Shqipërisë në mënyrë masive po shpreh mbështetjen me Ukrainën”.
“Ne nuk do të dorëzojmë pavarësinë dhe sovranitetin tonë, do të mbrojmë Atdheun tonë me të gjitha mënyrat. Por kemi nevojë për një mbështetje dhe ndihmë aktive. Bëjmë thirrje BE-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe e gjithë botës demokratike të përdorin ndaj agresorit, të tilla sanksione të cilat do të ndalojnë agresorin”, tha ai.
Fraksion.com