AktualitetBota+Të fundit

Rusia evakuon mijëra banorë nga Luhansku dhe Donetksu

Rusia filloi të evakuuojë ambasadën e saj nga Kievi dhe Ukraina u kërkoi qytetarëve të saj të largoheshin nga Rusia për shkak të rritjes dramatike të tensioneve pas miratimit nga parlamenti rus të një kërkese të Presidentit rus Vladimir Putin për të përdorur forcën ushtarake jashtë vendit të tij. Me praninë e trupave ruse në territorin ukrainas, rreziku i një lufte gjithëpërfshirëse midis Kievit dhe Moskës tani është më i madh. Ndërkohë, mijëra të evakuuar nga enklavat separatiste pro-ruse të Luhanskut dhe Donetskut vazhdojnë të kalojnë kufirin drejt Rusisë, duke kërkuar strehim larg zonave të konfliktit të mundshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina, ndodhet në qytetin Rostov-mbi-Don, në kufirin e Rusisë me Ukrainën.

Svetlana Ivanova u largua nga Luhansku fundjavën e kaluar, pasi autoritetet de fakto të këtij rajoni urdhëruan evakuimin e civilëve. Pasi la bashkëshortin në shtëpi, ajo shkoi me tre fëmijët e saj në Rusi, ku gjeti strehim në një hotel buzë rrugës.

“Si mund t’ua shpjegoj këtë situatë fëmijëve të mi. Të gjithë jemi të zemëruar, të trishtuar ose të frikësuar”, thotë Svetlana Ivanova, banore e evakuuar e Luhanskut.

Autoritetet ruse thonë se kanë dërguar mbi 70,000 banorë të evakuuar nga Donetsku dhe Luhansk, në rajonin rus të Rostovit. Shumica janë gra dhe fëmijë.

Irina Petrovna kujton momentet më të këqija të luftës së vitit 2014 mes separatistëve pro-rusë dhe trupave ukrainase, kështu që ajo thotë se nuk hezitoi të mblidhte valixhet dhe të largohej nga Luhansku me nipin e saj.

“Dy ditë para se të largoheshim pati bombardime shumë të forta dhe aktivitete të shumta ushtarake. Gjatë këtyre dy ditëve gjithçka gjëmonte, muret dridheshin, ishte e tmerrshme. Nuk dinim çfarë të bënim dhe më pas më telefonoi vajza ime dhe më tha: ‘Ke pesëmbëdhjetë minuta kohë, mblidhi valixhet’”, thotë ajo.

Mes të evakuuarve, bashkë me gratë dhe fëmijët, ka edhe të moshuar. Svetlana Vasilenko ndjehet e lehtësuar, që tani ndodhet jashtë zonës së konfliktit.

“Ditën e fundit u dëgjuan shpërthime të forta. Jemi të lodhur dhe kemi frikë”, thotë ajo.

Ky rajon është tashmë një strehë e përkohshme për shumë banorë të Donetskut dhe Luhanskut, të cilët kanë mbërritur në grupe, që nga viti 2014.

Dimitri Melnichuk mbërriti nga Donetsku në vitin 2015, dhe më pas u kthye për t’u kujdesur për fëmijën e tij. Ai e sheh të ardhmen me skepticizëm.

“Donetsku ka qenë i pavarur për shtatë vjet. Në këtë kohë asgjë e mirë nuk ka ndodhur dhe nëse braktiset, asgjë e mirë nuk do të ndodhë. Në të kaluarën me Ukrainën ishim në gjendje më të mirë, tani nëse rajoni bashkohet me Rusinë, askush nuk e di se si do të jetë gjendja atje. Njerëzit nuk janë të lumtur”, thotë ai.

Ndërsa civilët dynden drejt Rusisë për t’u shpëtuar pasojave të konfliktit të armatosur, makineria luftarake vazhdon të shkojë në drejtimin e kundërt, që mund të jetë një shenjë e ardhjes së kohërave më të vështira.

 

Fraksion.com