Rama: Në 2014-ën pluhuri në Elbasan kancerogjen, në 2017 nuk ka tejkalim të normës së BE
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në një seancë dëgjimore në komisionin hetimor për impiantet e trajtimit të mbetjeve, se “Elbasani në vitin 2014, kur ju mbyteshit të gjitha atje, tejkalonte normën e parashikuar për grimcat e pluhurit me dimensione 10 mikron në masën 16.37%. Një tejkalim kancerogjen. Elbasani në vitin 2017 rezulton që nuk ka tejkalim të normës vjetore të BE për grimcat e pluhurit në dimensione 10 mikron dhe asnjë nga treguesit e monitoruar. Kjo është ajo që kam bërë unë për Elbasanin”.
Duke i kthyer përgjigje deputeti Luçciano Boci, Rama u shpreh se, “keni ngritur një tymnajë, ç‘tymnajë, një tramundanë 430 milionë euro u grabitën. Domethënë u krye. Unë përsëri ju them që janë paguar për Elbasanin dhe për Fierin bashkë 55 milionë dhe për Tiranën deri tani janë 36.9 milionë pagesa. Dhe pagesat për Tiranën janë për pastrimin. Paguhet shërbimi i pastrimit me një tarifë 29 euro që është më e lira tarifë për këto lloj impiantesh në gjithë çfarë kemi parë rreth e rrotull. Në Greqi paguhet 60 euro për ton, në Francë shkon 100 e kusur euro etj. Ndërkohë kemi këtu precedentin që bashkia e kaluar ka kërkuar të njëjtën gjë pa prodhim energjie 37 euro. Unë nuk them fare që ka qenë abuzive, korruptive etj”.
“Sa i përket revolucionit mjedisor. Nuk diskutohet që ky është revolucion mjedisor. Sepse nuk di si ta quaj ndryshe. Revolucioni është një forcë çliruese. Ju vetë jeni angazhuar në një revolucion kohët e fundit që është një lloj revolucioni tjetër. Është një forcë çliruese”, tha Rama.
“Jeni deputet i një qyteti që deri dje vuante si qen nga helmi, nga tymi, nga mbytja, nuk hapnit dot dritaret. Nuk e di ekzakt ku e keni ju shtëpinë, por jeni në mes të qytetit besoj, nuk hapnit dot dritaret në orën 5, orën 6 pasdite. Kjo është historia e elbasanasve pa dallim. Tymi dhe gjithë gazrat toksik, nuk janë demokrat ose socialiste dhe nuk prekin njërin apo tjetrin. Sot Elbasani, bazuar edhe në statistikat që i kemi këtu, po nuk po ju lodh me statistika, nuk ka më”, tha Rama.
“Të gjitha këto janë punët e mia që Elbasanit që po mbytej t’ia hiqja lakun nga fyti dhe të marrë frymë lirisht. Ndërkohë të gjitha bashkitë rreth e rrotull të mos hedhin më plehra rrugëve dhe nëpër lumenj e nëpër gjithë ato zona të mrekullueshme, por t’i sjellin atje dhe t’i përpunojnë atje. Po kjo dhe për Durrësin etj”, u shpreh Rama.
Kryeministri tregoi matjet e bërë nga aparaturat matëse të BE. “Elbasani në vitin 2014, kur ju mbyteshit të gjitha atje, tejkalonte normën e parashikuar për grimcat e pluhurit me dimensione 10 mikron në masën 16.37%. Një tejkalim kancerogjen. Elbasani në vitin 2017 rezulton që nuk ka tejkalim të normës vjetore të BE për grimcat e pluhurit në dimensione 10 mikron dhe asnjë nga treguesit e monitoruar. Kjo është ajo që kam bërë unë për Elbasanin”, theksoi Rama.
“Unë nuk merrem me procedura zotëri. Unë udhëheq revolucionin mjedisor. Për procedurat ka një skuadër të tërë, ka një zinxhir të tërë njerëzish që e dinë mirë detyrën e tyre, i dinë mirë kompetencat e tyre. Përgatisin gjithçka dhe jua thashë kryeministri është për të thënë ku do të shkojmë? Çfarë do bëjmë? Pse do ta bëjmë? Dhe kur vjen pyetja si do ta bëjmë mblidhen të gjithë dhe ulen, ky merre detyrën të shohë këtë, ky këtë dhe realizohet. Pra unë jam shoferi i dashur, unë nuk jam anëtar i gjithë grupit që duhet të merret me gjithë mekanikën e makinës”, u shpreh Rama.
Fraksion.com