AktualitetPolitikëTë fundit

Meta për inceneratorët: Përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se duhet të flasin institucionet e drejtësisë në lidhje me hetimin për inceneratorët.

Duke iu përgjigjur interesit të medieve për komisionin hetimor për inceneratorët, Meta tha se në lidhje me hetimin për inceneratorët është drejtësia ajo që flet me fakte dhe me prova.

“Në radhë të parë është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë të flasin për këtë çështje dhe të gjitha çështjet e tjera në bazë të fakteve të provave për të rritur besimin tek drejtësia të të gjithë qytetarëve dhe njëkohësisht për të parandaluar abuzimet e rënda me taksat e qytetarëve dhe financat publike dhe për këtë kërkohet sa më shumë efektivitet”, theksoi ai.

Meta në një prononcim për mediet nga Durrësi foli për zgjedhjet e 6 marsit.

“Demokracia në radhë të parë është vendore, është lokale dhe kjo kërkon një rritje të përgjegjësisë së çdo qytetari për të shfrytëzuar për të përdorur votën e tij për të përmirësuar të ardhmen përmes një qeverisje sa më të hapur, demokratike dhe transparente. Me këtë rast u bëjë thirrje qytetarë të shfrytëzojnë të drejtën e votës në të 6 bashkitë që janë në zgjedhje, në mënyrë që të kenë të drejtë të kërkojnë llogari atyre që i votojnë”, u shpreh Meta.

Në lidhje me pyetjen se si e vlerëson deklaratën e Yuri Kim për kandidatët e bashkive që sponsorizohen nga persona “non grata”, Meta u shpreh se qytetarët e Durrësit, por dhe të 5 bashkive të tjera do të zgjedhin me vullnetin e lirë për kandidatët më me integritet dhe që garantojnë përkushtim sa më të madh ndaj komunitetit dhe një përfshirje sa më të gjerë të tij për të përmirësuar më tej qeverisjen vendore.

Prononcimi për mediet u dha nga Presidenti Meta  pas ceremonisë që u zhvillua në Durrës për vlerësimit me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, për portierin e spikatur durrsak Vladimir Ajazaj (pas vdekjes).

 

Fraksion.com