AktualitetPolitikëTë fundit

Debati në komisionin hetimor; Rama këmbëngul për një kërkim ndjese nga Tabaku! Deputetja: Më thoni përkufizimin e ligjit

Dëshmia e kryeministrit Edi Rama në Komisionin Hetimor për inceneratorët është shoqëruar me debate të ashpra mes tij dhe kryetares Jorida Tabaku.

Deklaratës së Tabakut se po flet me fjalë të huazuara nga të tjerët, Rama iu përgjigj me një kërkesë. “Dua të më kërkosh ndjesë”, i tha Rama kryetares së Komisionit Hetimor, ndërkohë që mes dy politikanëve vazhdoi një retorikë e ashpër.

Rama: A mund të më kërkoni një ndjesë

Tabaku: Ju kërkoj të fokusoheni

Rama: Një ndjesë e dua!

Tabaku: Unë e kuptoj që dëshira për t’u bërë aktor dhe për protagonizëm na kanë sjellë në këtë situatë…

Rama: Dëshmitari kërkon një ndjesë të vogël, se i thatë nuk po flisni me të vërtetë. Unë këtu kam ardhur duke u futur në lëkurën e dëshmitarit

Tabaku: Dëshmitar, fokusohemi te çështja!

Rama: Unë mendoj që jam i vetmi këtu pa tituj shkencor, master, etj.

Tabaku: Cili është përkufizimi i ligjit për ju? Pyetja ime është e thjeshtë.

Rama: Duhet të garantoni integritetin e qenies sime. Dua të më kërkoni ndjesë se më thatë që përgjigja ime nuk është e imja, por ma kanë thënë të tjerët.

Tabaku: Fokusohemi këtu, cili është ligji për ju?

Rama: Unë kërkoj ndjesën tuaj dhe më pas do të fokusohemi këtu!

Tabaku: Unë e kuptoj që nuk doni t’i përgjigjeni pyetjes. Nëse kjo ju ndikon, zoti dëshmitar, nëse ju kam cenuar ju kërkoj ndjesë. Dhe kërkoj t’i përgjigjeni pyetjes, a jeni ne dijeni qe deri me sot janë financuar 100 mln euro për inceneratorët?

Rama: Ndjesa juaj pranohet! Këto 100 mijë euro të paguara nga buxheti i shtetit, janë fantazi juaja.

Kërkesës së vazhdueshme të Tabakut, që Rama të flasë me qetësi, ky i fundit tha se po i kujton presidentin Ilir Meta.

“Me këtë qetësi, m’u bëre si Ilir Meta. Shto dhe qetësi tani dhe thuaj me qetësi me dashuri”, tha kryeministri.

“Mos përmendi emra të personave që nuk janë të pranishëm këtu, fokusohemi te tema. Ju lutem të lemë retorikën dhe propagandën, se me tym plehrash dhe me mbetje inceneratori na ka detyruar të mbledhim këtë Komision Hetimor për të cilin sot një ish-ministër ndodhet përpara organit te akuzës”, tha Tabaku.

 

Fraksion.com