AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Duam ta kthejmë Këshillimin Kombëtar në praktikë të qeverisjes

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me qytetarë të Durrësit për nismën “Këshillimi Kombëtar” tha sot se po kërkohet pjesëmarrja e qytetarëve për çështje që kur të kthehen në vendime të jenë mundësisht opinioni i shumicës.

“Nuk është se nuk i kemi votat që të bëjmë një zgjedhje, por nuk duam ta bëjmë zgjedhjen, sepse kemi dyshimet tona. Duam të marrim më shumë opinionin e njerëzve dhe duam që mundësisht kur t’i marrim këto vendime të jetë opinioni i shumicës”, u shpreh Rama.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama theksoi se “duke qenë se janë çështje jopolitike, në sensin partiak, duke qenë se janë çështje për të gjitha shtresat dhe ku shprehja bëhet anonimisht, ne mendojmë që të gjithë do të shprehen lirisht dhe nuk do ndahet kjo punë që do shprehen socialistët e nuk do shprehen demokratët, qoftë edhe për të thënë jo”.

“Temat janë njerëzore, të jetës së përditshme dhe të tilla duam që të jenë gjithmonë temat e Këshillimit Kombëtar dhe këtë praktikë duam ta kthejmë në një praktikë të qeverisjes në mënyrë të përvitshme për ta pasur më afër komunikimin me njerëzit, për të bashkuar më shumë dhe për të ndarë sa më pak me politikën tonë. Kur vjen puna në Kuvend është e pamundur aq më tepër tani që është komplikuar më shumë situata. Tani është bërë një gjë që askush nuk e imagjinonte disa kohë më parë. Gara është bërë shumë më e egër, por jo në kuptimin e argumenteve, por kapërcimin e normave etike, të çdo lloj kufiri dhe në kuptimin e braktisjes së terrenit ku njerëzit jetojnë dhe kanë problemet e përditshme. Nuk bëhen debate për gjërat e jetës së tyre të përditshme, por bëhen debate kush je ti e kush jam unë, e kush ka vjedhur më shumë”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “më vjen mirë që përtej problematikës së kësaj që po ndodh në Kuvend me atë komisionin, të paktën u krijua një mundësi për ata që duan të dëgjojnë dhe të shikojnë që e vërteta është diçka krejt tjetër. Nuk po flas më gjatë për këtë, se do të shkoj nesër, kështu që po nuk patët ndonjë punë më të mirë për të bërë, mos e humbni nesër”.

Duke folur për Këshillimin Kombëtar, Rama tha se “pyetësori është edhe në platformën e tij online, për t’iu dhënë mundësinë të gjithë atyre që dëshirojnë ta plotësojnë duke mos qenë këtu, ose duke qenë mosha me e re e familjes duke pasur parasysh se më të moshuarit mund ta kenë më të lehtë të bëjnë këtë gjë me pyetësorin fizik dhe të tjerë ta bëjnë përmes platformës. Ashtu sikundër duke qenë herë e parë, marrë parasysh edhe legjendat e mëdha që u bënë për shkak të dhënave personale e kemi bërë pyetësorin totalisht anonim dhe për këtë arsye nuk kemi dashur ta çojmë për çdo anëtar të familjes. Zarfi është pa emër, shpërndahet në çdo derë kthehet pa emër, pa asnjë shpenzim. Opinionet janë aty dhe janë të qytetarëve shqiptarë, Këshillimi Kombëtar është përtej se çfarë bindje kanë, çfarë partie votojnë përtej faktit nëse votojnë apo nuk votojnë fare”, theksoi Rama.

Sipas Ramës, bëhet fjalë për një sërë çështjesh që lidhen me vendimmarrje të qeverisë.

Kryeministri u shpreh se “një ndër çështjet që është shumë e rëndësishme për një mijë e një arsye, por që prek shumë qytetarë, shumë familje, është çështja e kursimeve të emigrantëve, lekë të padepozituara në bankë. Të gjithë emigrantët kanë pasur një fillim të vështirë, kanë bërë punë në të zezë, kanë kursyer para që një pjesë kanë mundur ti sjellin e këtu për familjen, por një pjesë i kanë mbajtur kesh në shtëpi dhe për ta është e pamundur që ato para ti çojnë në banka në vende ku janë. Këtu nuk bëhet fjalë për para të fituara në aktivitete kriminale”.

“Për paratë e fituara nga aktivitet kriminale s’ka asnjë lloj formalizmi pa pasoja. Një problem ligjor ekziston, pasi është punë e zezë. Kur sjell para me bankë, është e vështirë se si mund të argumentosh sot disa dhjetëra mijëra euro që nuk i përgjigjen historikut të punësimit tënd. Ne duhet të vendosim vetë. Këtë do e vendosim së bashku me qytetarët shqiptarë. Shqiptarët duhet ta thonë opinionin e tyre”.

Nga ana tjetër, vijoi Rama, është çështja e pasaportave të gjelbra, për historinë e COVID-it.

“Kjo është një masë që sot jemi në kushte pandemie. Kemi vijimësisht fatalitete, nuk jemi në momentin agresiv të pandemisë, por as jashtë pandemisë. Asnjë nuk është i përjashtuar nga risku, për më tepër kur kur një pjesë e njerëzve nuk duan të vaksinohen”.

 

Fraksion.com