AktualitetTë fundit

Nano: Efektivët e lënduar nga operacioni tek “5 Maji”, jashtë rrezikut për jetën

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, deklaroi sot se, punonjësit e Policisë të cilët janë lënduar në operacionin për prishjen e disa objekteve në zonën e “5 Majit” kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Këto deklarata Nano i dha nga Selenica e Vlorës, ku mori pjesë sot në konferencën rajonale për parandalimin e kultivimit të kanabisit.

I pyetur nga mediet për punonjësit e policisë, të cilët janë lënduar në operacionin për prishjen e disa objekteve në zonën e “5 Majit”, Nano tha se, “punonjësit e Policisë të cilët janë lënduar në operacionin për prishjen e disa objekteve në zonën e “5 Majit” kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën”.

Po kështu shtoi Nano, “ka edhe 3 punonjës të Policisë bashkiake të cilët janë lënduar dhe ata janë jashtë rrezikut. Kanë marrë ndihmën mjekësore dhe do të lënë spitalin”.

I pyetur për situatën në vend sa i përket kriminalitetit, nëse ka dalë jashtë kontrollit, Nano tha se, “nuk ka situatë jashtë kontrollit. Situata është nën kontroll dhe do të kemi rezultate shumë shpejt. Nuk mund të flas më tepër në lidhje me këto ngjarje”.

Nano theksoi se, “do të goditen të gjitha grupet kriminale, ashtu siç goditen në të gjitha vendet perëndimore, edhe Policia e Shtetit ka marrë iniciativa dhe po bën goxha punë. Kemi shumë hetime të rëndësishme dhe serioze në dorë që do të shikoni rezultate shumë shpejt”.

I pyetur për testin e drogës ndaj policëve, Nano tha se, “testi i drogës do të vazhdojë dhe ne sot kemi bërë një njoftim publik për të gjitha mediet në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit”.

Kujtojmë se 8 punonjës policie janë plagosur këtë të martë gjatë përplasjes me banorët e  “5 Majit”, të cilët kundërshtojnë prej javësh tashmë shembjen e shtëpive.

Gjatë rezistencës së banorëve të”5 Majit” janë dëmtuar në detyrë pesë punonjëse të Policisë së Shtetit dhe 3 punonjës të Policisë Bashkiake.

Ata kanë marrë dëmtime nga sende të forta dhe lëndë djegëse dhe ndodhen në Spitalin e Traumës duke marrë ndihmën mjekësore.

Ndërkohë Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona në komisariat.

Banorët e “5 majit” kanë protestuar që në orët e para të mëngjesit për të mbrojtur shtëpitë e tyre, të cilat  u shëmbën nga IKMT, në kuadër të projektit të rindërtimit dhe rikualifikimit urban.

 

Fraksion.com