Kosova në mbështetje të Ukrainës
Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, dënuan veprimet ruse në Ukrainë dhe u zotuan për bashkërendim me aleatët perëndimorë. Komentet u bënë gjatë një seance të parlamentit në të cilën deputetët e opozitës kërkuan më shumë vëmendje të qeverisë së Kosovës për situatën në Ukrainë dhe ndikimet e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Republika e Kosovës, qeveria e Kosovës padyshim që mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe sikurse deri më tani dhe në vijim ne do të jemi përherë të bashkërenduar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryetari i komisionit parlamentar për punë të jashtme, Haki Abazi, tha se është urgjente që institucionet e sigurisë të shqyrtojnë situatën për shkak të siç tha, veprimeve të ngjashme që mund të ndërmarrë Serbia, aleatja e Rusisë në Ballkan.
“Kërkesa ime është që në këtë situatë delikate kur ne bëjmë historinë ndonjëherë pa e ditur se po e bëjmë historinë, që të jemi të bashkuar përballë një krize që mundet në mënyrë direkte apo indirekte të na prekë të gjithë neve, qytetarët dhe rajonin dhe sigurisht se jemi me fat që jemi bashkë me aleatët perëndimor në ballafaqimin me këtë sfidë”, tha zoti Abazi.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh nënkryetar i parlamentit, kërkoi nga institucionet dhe partitë që të bëhen bashkë për të dënuar agresionin rus.
“Ukraina është fronti i parë, Ballkani është fronti i dytë dhe ne jemi vija e parë e këtij fronti të dytë në Ballkan dhe mendoj që qeveria e Kosovës duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dhe së treti sot nëse SHBA-të dhe BE vendosin sanksione, sot qeveria e Kosovës duhet të mblidhet dhe të vendos sanksione ndaj Federatës ruse sikurse kemi bërë në vitin 2014 kur është aneksu Krimeja”, tha zoti Hoxhaj.
“E shihni si na është luajtur loja se kinse ne po dëshirojmë të dërgojmë ushtarë në Ukrainë, ne duhet të jemi të qëndrueshëm si shtet, kemi një ligj, në aspektin ndërkombëtar, në aspektin e politikës së jashtme këto tema ne e përcjellim Amerikën dhe kaq”, tha shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Javën e kaluar zyrtarët e Rusisë thanë se “mercenarë” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja po dërgohen për të luftuar përkrah forcave ukrainase kundër kryengritësve pro-rusë, mes frikës së një sulmi të Rusisë mbi vendin fqinj.
Zyrtarët nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja, i hodhën poshtë pretendimet e ngritura nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Rusia një aleate e vjetër e Serbisë, refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, e cila javën e kaluar kremtoi 14 vjet të shtetësisë së saj, që tashmë është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.
Fraksion.com