AktualitetPolitikëTë fundit

Gjiknuri: Ministria e Energjetikës, përgjigje korrekte për elementin e prodhimit të energjisë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dëshmoi sot në mbledhjen e komisionit hetimor për impiantet e trajtimit të mbetjeve.

I pyetur nëse ka njohje me Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe Stela Gugalljan, Gjiknuri tha se “shtetasen Gugallja nuk e njoh, Mërtirin e njoh si fytyrë, Zoton e kam takuar disa herë në cilësinë e ministrit kur kam vizituar impiantin e Elbasanit në 2017-ën dhe e kam takuar edhe një herë tjetër në zyrë për një investim që ka pasur në plan lidhur me një fabrikë qelqi, nuk e di çfarë ndodhi me të. Më ka qëlluar të punoj me të në Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 2001, kur kam qenë Sekretar i Përgjithshëm dhe ai ka qenë koordinator në zyrën e kabinetit të ministrit të atëhershëm”.

“Këto janë njohje që nuk kanë të bëjnë me lidhje shoqërore as me lidhje të afërta. Janë njohje krejt rrethanore dhe unë kam filluar punë që në vitin 1994 në administratën publike shqiptare, kam 28 vjet punë në shërbim shtetëror e privat duke qenë avokat privat, konsulent dhe sipërmarrës në një kohë”, tha Gjiknuri.

Pyetjes nëse ka udhëtuar me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, Gjiknuri iu përgjigj “para se të vija në komision pashë një postim të PD-së me pretendimin se kam udhëtuar 7 herë me Zoton. Më vjen mirë që keni një ndryshim nga deklarimet e zotit Bardhi në seancë plenare, i cili tha se unë kam udhëtuar 15 herë. Në fakt kam nisur një padi civile ndaj Bardhit për shpifje”.

“Nxora nga TIMS të gjitha udhëtimet e mia që nga momenti që kam filluar punë ministër, deri në gusht 2019 dhe ku rezultojnë 137 dalje e hyrje, 98 % e udhëtimeve janë pune. Bëra një krahasim me datat e dhëna nga Bardhi, rezulton që nga pretendimet e tij janë 4 -5 data që përkojnë me udhëtimet e mia. Nuk e di a përkojnë me Mërtirin apo Zoton, se në fund të fundit bëhet fjalë për transport publik, Shqipëria ka vetëm një aeroport. Nga datat të cilat më përkonin me ato që thotë Bardhi, duke mos ditur në ka qenë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, se këtë nuk e di, se nuk i kërkoj pasagjerëve para se të hipi në avion a ka ndonjë këtu probleme, se ndryshe nesër do më akuzojnë, se kam udhëtuar me ju. Më del  21.3.2018 një nga datat që përmend Bardhi, ndodhem në samitin e Sofjes me sekretarin e Transportit të BE dhe ministrat e Evropës Juglindore”, tha Gjiknuri.

Duke folur për rolin e Ministrisë së Energjetikës në atë kohë në kuadër të procedurës së koncesionit të inceneratorëve, Gjiknuri tha se “Ministria e Energjetikës ka hyrë në këtë proces për shkak të një situate incidentale si derivat i një produkti që kishte kjo kontratë koncesionare. Kontrata koncesionare e iniciuar nga autoriteti kontraktor, Ministria e Mjedisit, e cila ishte ministri përgjegjëse për shkak të rolit që ka ministria në fjalë për ligjin e menaxhimit të integruar të mbetjeve në Republikën e Shqipërisë”.

“Ministria e Energjetikës hyri se për shkak të propozimit që kishte ardhur nga Ministria e Mjedisit me investitorët në fjalë që u bënë koncesionarë ishte parashikuar që një nga produktet derivat final është edhe rikuperimi dhe çlirimi i energjisë. Në momentin që ka një vlerë ekonomike dhe do futet edhe një element teknik, prodhimi i energjisë, u pyet Ministria e Energjetikës. Ministria e Energjetikës ka dhënë një përgjigje korrekte: Shprehemi dakord duke sqaruar se përzgjedhja e procedurës së koncesionit është e drejta e autoritetit kontraktor pas vlerësimit të përmbushjes së kushteve ligjore të kërkuara”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri u shpreh se “unë si ministri, kur mora dijeni që ka një iniciativë të tillë dhashë ok në parim, se më pëlqente fakti që Shqipërisë përveç aspektit të përpunimit të mbetjeve do t’i shtohej edhe një burim i ri i prodhimit të energjisë elektrike”.

Gjiknuri ka theksuar se janë shumë kompani që kanë të njëjtin surpervizor, dhe për aq kohë sa ai është brenda ligjit është në rregull, ndryshe do të përballet me ligjin për çdo shkelje që bën.

“Unë mendoj se ky komision është ngritur për diçka të madhe, jo për të gjykuar zbatimin e kontratave dhe të afateve, se këto janë punë administrative. Inceneratori i Elbasanit është dorëzuar në kohë, inceneratori i Fierit ka pasur vonesa dhe Tirana është në zbatim e sipër dhe brenda afateve. Me sa kam parë dhe nga informacionet që kam marrë ditët e fundit vlerësoj se dhe në Tiranë ka pasur ecuri dhe kontrata është deri në 2025 deri më tani kontratat janë në zbatim dhe nuk shikoj asnjë shqetësim. Ndërsa në këtë rast e mira është se nuk ka kosto shtesë. Nuk shikoj probleme serioze në zbatim, por tani e kuptoj se është i njëjti supervizor por nuk shikoj ndonjë problem në lidhje me këtë, pasi ai ka detyrë ligjore dhe mund të ketë 10 kontrata me kompaninë dhe nëse ka shkelje ai mund të shkojë në burg, por sa di unë, nuk ka një gjë të tillë”, tha ai.