AktualitetPolitikëTë fundit

Vendimi i Kushtetueses, Meta: Fundin e kam ditur. Ky ka qenë një proces politik për ta përdorur si shantazh

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që vendosi të mos e shkarkojë.

Gjyqtarët nuk gjetën shkelje të rënda të kushtetutës për ta shkarkuar presidentin Ilir Meta duke rrëzuar vendimin e Kuvendit të Shqipërisë të pak muajve më parë.

Për këtë vendim ka reaguar për herë të parë presidenti Meta në emisionin ‘Dekalog’ duke thënë se nuk është shqetësuar në asnjë moment ndërsa theksoi se ka qenë proces politik për tu përdorur si mjet shantazhi.

Nuk kam pasur asnjë lloj emocioni për çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kam pritur të zgjidhej më herët. Kjo zgjatje nuk më ka shqetësuar sepse fundin e kam ditur për sa kohe nuk kam bërë shkelje as të rëndë dhe as të lehtë.

Ky ka qenë një proces politik për ta përdorur si mjet shantazhi. Nuk kam pasur asnjë shqetësim për një çështje e cila ka qenë inekzistente, sepse jo vetëm nuk kam bërë as shkelje të rëndë dhe as të lehtë të Kushtetutës, por edhe kam qenë i bindur që ky ka qenë një proces politik. Nuk është rastësi që është bërë në këto momente, ka qenë një tentative për të kapur të vetmin institucion të pavarur por dhe për të hequr vëmendjen nga aferat korruptive të qeverisë.

Ky ishte hetimi i tretë kundër meje. Një maskaradë politike, një show. Kërkesa për shkarkim nga Parlamenti ka qenë shantazh ndaj Presidentit, për qëndresën që ai ka bërë për mos kapje të shtetit. Kjo kërkesa ka qenë e paligjshme dhe në formë hakmarrje e mazhorancës ndaj Presidentit të Republikës.

 

Fraksion.com