AktualitetBota+Të fundit

Blinken: Rusia është në “rrugë drejt luftës”

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka thënë Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Rusia “po ndërmerr hapa në rrugën drejt luftës”, por mënyra e vetme e përgjegjshme për të zgjidhur krizën në Ukrainë sipas Blinken, është diplomacia.

Kryediplomati amerikan paralajmëroi se forcat ruse po përgatiten të nisin një sulm kundër Ukrainës siç tha ai “në ditët e ardhshme” dhe ka të ngjarë të paraprihen nga sulme të rreme ose reale që do t’i jepnin asaj një pretekst për të pushtuar Ukrainën.

Ai tha se objektivat përfshijnë kryeqytetin, Kiev, një qytet me 2.8 milionë banorë.

Blinken tha se donte të fliste me këshillin të enjten më 17 shkurt “jo për të filluar një luftë, por për ta parandaluar atë” dhe tha se do të parashtronte informacionin me shumë detaje.

“Me shpresën se duke ndarë me botën atë që dimë ne, Rusia do të zgjedhë një rrugë tjetër”, tha Blinken.

Ai tha gjithashtu se ka kërkuar që javën e ardhshme të takohet sërish me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe se Gjermania dhe Franca janë të gatshme për të nisur negociatat për konfliktin në Ukrainën lindore pas marrëveshjeve të Minskut.

“Nëse Rusia dëshiron diplomaci, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do t’i japin Moskës çdo mundësi që ajo të demonstrojë atë angazhim”, tha Blinken.

 

Fraksion.com