AktualitetPolitikëTë fundit

Rama nderohet me simbolin e mirënjohjes në Universitetin Georgetown: Krenar që hapëm dyert për afganët

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në pritjen e zhvilluar në Universitetin Georgetown, në Uashington.

Instituti për “Gratë Paqen dhe Sigurinë”, i cili drejtohet nga ish-sekretarja Hilari Klinton, i dorëzoi kryeministrit Rama një zog, në shenjë të mirënjohjes.

“Duam tu dhurojmë këtë simbol në shenjë të mirënjohjes sonë për udhëheqjen tuaj për gratë, paqen e sigurinë”, tha përfaqësuesja e Institutit.

Kryeministri Edi Rama, teksa u ndal tek kriza në Afganistan, dhe pritja e afganëve në Shqipëri, tha se kur shumë vende të tjera u larguan, Shqipëria qëndroi, nuk u zhduk, pasi nuk mund t’i braktiste njerëzit në Afganistan që përballeshin me kërcënimin e vdekjes.

“Ndjehem shumë i përulur që do të merrja këtë shenjë mirënjohje. Zakonisht ata që janë në politikë u tremben ngjarjeve, ngjarjet nuk janë të mirëpritura.Të kesh ngjarje të tilla, dhe që unë i mirëpres, është mjaft e rrallë. Më duhet të them se kur dëgjoj fjalë të bukura për atë që kemi bërë në raport me afganët, gratë afgane, aktivistët afganë, kam një ndjenjë sikleti. Është e trishtë që një vend kaq i vogël si Shqipëria përgëzohet kaq shumë pasi të tjerë shumë më të pasur, më të mëdhenj u larguan përballë nevojës së këtyre njerëzve në Afganistan që përballeshin me kërcënimin e vdekjes vetëm sepse na besuan, na ndoqën e punuan me ne, me të gjithë komunitetin e NATO-s dhe vetëm sepse ëndërruan një të ardhme ndryshe për vendin e tyre mbështetur në premtimet tona dhe u inkurajuan nga mbështetja jonë. Papritur e gjithë kjo u zhduk dhe shumë të tjerë u zhdukën, bashkë me të, por ne nuk mund ta bënim këtë dhe jemi më shumë se të nderuar që patëm mundësinë të ndihmonin, ashtu si gjatë jetës sonë u ndihmuam kur ishim ne “afganët” që i iknin vendit të tyre në përpjekje për të gjetur rrugës një të ardhme më të mirë, duke i ikur një regjimi mjaft të egër, i cili nuk u themelua si një regjim fondamentalist por që mbështetej te forma më e pamëshirshme e ateizmit”, tha Rama.

Gjithashtu ai theksoi se pjesëmarrja e grave në kabinet, gjë që u vlerësua edhe gjatë këtij takimi, është shumë e rëndësishme.

Gjithashtu Rama tha se harmonia fetare është trashëgimia më e bukur që ka Shqipëria.

“Burrat janë të mirë për t’u folur dhe gratë janë të mira për t’i bërë gjërat. Unë do të doja të shtoja se unë jam katolik dhe bashkëshortja ime është myslimane, dy fëmijët tanë, të rritur, nga martesat e mëparshme janë ortodoksë, kemi edhe një fëmijë të vogël, i cili mund të zgjedhë të bëhet hebre. E përmend këtë shembull sepse kjo është trashëgimia më e bukur që ka Shqipëria dhe na duhet ta kremtojmë dhe të sigurohemi që fëmijët tanë do të vazhdojnë në rrugën e të parëve tanë që shpëtuan hebrenjtë. Ata ishin kryesisht mysliman që u ofronin strehë hebrenjve”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se më pas u hapën dyert për gjysmë milioni qytetar të Kosovës që i iknin spastrimit etnik.

“Por ja ku jemi, mbijetuam dhe u pasuruam më shumë në pikëpamjen kulturore e morale. Është i gjithë një thesar që duam të kremtohet nga brezat e ardhshëm. Për ata që na pyesin përse e bëmë, u përgjigjem: se këta jemi ne. Jam shumë krenar që Shqipëria mundi ta bënte, këtë e konsideroj si diçka që nuk më përket vetëm mua personalisht, por i përket popullit shqiptar. Në Shqipëri nuk kemi jetë të lehtë politike, ne mund të mos biem dakord edhe për sa është ora, por kur erdhi fjala për strehimin e afganëve nuk patëm asnjë mosdakordësi, dhe unë jam krenar për këtë”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, çdo fjalë e mirë për Shqipërinë është plotësisht e merituar.

“Jo vetëm për mua personalisht por për të gjithë popullin shqiptar, partitë politike, sepse askush prej tyre nuk e ngriti zërin për të thënë jo”, tha Rama.

 

Fraksion.com