NATO/BE

Gjykata Evropiane e Drejtësisë refuzon paditë e Polonisë dhe Hungarisë

Me mekanizmin e sundimit të ligjit, BE dëshiron të veprojë kundër anëtarëve që kufizojnë zbatimin e parimeve themelore si ndarja e pushteteve. Këtu përfshihet edhe shkurtimi i i fondeve

Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) ka hedhur poshtë paditë e Polonisë dhe Hungarisë kundër mekanizmit të sundimit të ligjit të BE. Rregullorja është miratuar mbi një bazë të përshtatshme ligjore, vendosi GJED në Luksemburg.

Ajo është në përputhje me Marrëveshjen e BE dhe bie në kompetencën e Bashkimit Evropian, vendosën gjyqtarët në Luksemburg. Kështu, Komisioni Evropian mund të fillojë procedura penale kundër vendeve që nuk respektojnë parimet e shtetit të së drejtës.

Konkretisht, bëhet fjalë për një “rregullore për kondicionalitetin e shtetit të së drejtës”, në fuqi që nga fillimi i vitit 2021. Ajo duhet të sigurojë që shkeljet e parimeve të shtetit ligjor, si ndarja e pushteteve, të mos mbeten më të pandëshkuara, kur me këtë kërcënohet shpërdorimi i fondeve evropiane në një vend. Në një rast të tillë, Komisioni Evropian mund të propozojë reduktimin e pagimit të fondeve nga buxheti i BE.

GJED, Luksemburg, tabela hyrese

Mekanizmi ende nuk ka hyrë në fuqi

Polonia dhe Hungaria kanë qenë veçanërisht në shënjestër të këtij instrumenti të ri dhe për këtë arsye kanë depozituar një padi kundër tij në GJED. Komisioni Evropian i udhëhequr nga Ursula von der Leyen donte të priste gjykimin përpara se të përdorte mekanizmin.

Kjo është edhe ajo që parashikohet në një marrëveshje të arritur nga krerët e shteteve dhe qeverive në verën e vitit 2020, e cila bindi qeveritë në Budapest dhe Varshavë të braktisin bllokimin e vendimeve të rëndësishme buxhetore të BE.

Rregullat ende duhet të përpunohen

Është e paqartë nëse Komisioni Evropian do ta aktivizojë tani mekanizmin dhe sa shpejt. Nga njëra anë, Komisioni duhet të finalizojë udhëzimet për zbatimin e instrumentit duke marrë parasysh gjykimin.

Kësaj i shtohen edhe konsideratat politike: Polonia kohët e fundit ka treguar shenja të kujdesshme afrimi me Brukselin. Në Hungari, janë planifikuar zgjedhje të përgjithshme në fillim të prillit. Nëse Komisioni Evropian aktivizon mekanizmin e sundimit të ligjit para kësaj, kjo mund të shihet si ndërhyrje në fushatën zgjedhore./DW

 

Fraksion.com