SHBA kërkon nga Hondurasi të ekstradojë ish-Presidentin Juan Orlando Hernandez
Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar zyrtarisht Hondurasit të ekstradojë ish-Presidentin Juan Orlando Hernandez, për të cilin Uashingtoni dyshon se është i përfshirë në trafik drogash.
Ministria e Punëve të Jashtme të Hondurasit njoftoi të hënën në Twitter se Ambasada amerikane në Tegucigalpa kishte kërkuar zyrtarisht arrestimin e një politikani të Hondurasit, për ekstradim të mundshëm në Shtetet e Bashkuara. Ish presidenti Hernandez u identifikua si politikani i kërkuar për ekstradim, pasi rrjeti televiziv CNN transmetoi pamje të kërkesës.
Gjykata e Lartë e Drejtësisë dhe Gjykata e Lartë e Hondurasit, do të mblidhet për të caktuar gjyqtarin që do të trajtojë kërkesën për ekstradim.
Në fillim të këtij muaji Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se kishte njoftime të besueshme se zoti Hernandez ishte është përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm, duke kryer ose lehtësuar akte korrupsioni dhe narkotrafiku. Ai i ka përdorur të ardhurat për të financuar karrierën e tij politike.
Vitin e kaluar vëllai i tij, ish-ligjvënësi i Hondurasit Tony Hernandez, u dënua me burgim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara nën akuzat për trafik droge.
Ish-Presidenti Hernandez është aktualisht deputet në parlamentin e Hondurasit. Avokati i tij thotë se ai gëzon imunitet dhe nuk mund të ekstradohet./voa
Fraksion.com