AktualitetPolitikëTë fundit

Rama për 6 marsin: Proces i vonuar, pas një shkeljeje permanente të Kushtetutës nga Presidenti. Për ne nuk është një betejë për jetë a vdekje, por një ofertë

“Kush do dojë që të ecë përpara me gjithë sinergjinë që krijon një drejtim i njëjtë i bashkisë dhe i qeverisë, do i japë votën kandidatëve tanë”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në një intervistë për Zërin e Amerikës duke folur për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Nuk mungoi sërish një akuzë për Presidentin e Republikës për vonimin e procesit. Rama tha se për socialistët nuk është një betejë për jetë a vdekje, por është një ofertë për komunitetet, teksa sulmoi dhe opozitën, duke i cilësuar liderët e saj pengje të së shkuarës.

“Ne kemi respektuar një proces që është tejet i vonuar, pas një shkeljeje permanente të Kushtetutës nga ana e Presidentit i cili mori peng faktikisht këto komunitete për arsyet e mosarsyes së tij dhe tani jemi në një fazë përfundimtare me 6 kandidatë, të cilët ofrojnë për komunitetet vlerat e tyre, aftësitë e tyre. Janë zgjedhje vendore, nuk janë zgjedhje politike. Ne jemi për bashkim, jo për ndarje. Ne jemi për të parë problemet e komuniteteve dhe për të vazhduar për t’i trajtuar ato me gjithë vëmendjen dhe dinjitetin e duhur. Përballë kemi dy forca që janë në një nxjerrje kunji me njëra-tjetrën ‘kush jam unë dhe kush je ti’ dhe që të dyja janë pa legjitimitetin moral për të qenë aty ku janë për shkak të dy frymëzuesve, udhëheqësve, drejtuesve të tyre që janë pengje të të shkuarës që të dy. Por i takon qytetarëve që të bëjnë zgjedhjen e tyre dhe ne do respektojmë zgjedhjen e tyre. Për ne kjo nuk është një betejë për jetë a vdekje në kuptimin simbolik natyrisht, është një ofertë për komunitetet. Kush do dojë që të ecë përpara me gjithë sinergjinë që krijon një drejtim i njëjtë i bashkisë dhe i qeverisë, do i japë votën kandidatëve tanë. Kush do të dojë të votojë për të bërë politikë me jetën e vetë të përditshme dhe për t’i shërbyer një pengu apo një tjetri, do votojë kështu dhe do ta paguajë, duke faktikisht e lënë qytetin, bashkinë pa një kujdestar që merret çdo ditë me pastrimin, merret me ndriçimin, me mjedisin, me kopshtet, çerdhet, jetën komunitare dhe nuk merret me një luftë politike përçarëse që nuk i shërben absolutisht qytetarëve, nuk i shërben askujt”, deklaroi Rama.

 

Fraksion.com