AktualitetPolitikëTë fundit

Rama pas takimit me Blinken: Diskutuam për bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit dhe ecurinë e reformave

Kryeministri Edi Rama tha sot se gjatë takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken diskutuam lidhur me bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit, për marrëdhëniet bilaterale me rajonin, ecurinë e reformave në Shqipëri”.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Rama tha se “në tërësi besoj që prekëm të gjitha temat janë të rëndësishme për këtë marrëdhënie përfshirë edhe temën e të qenit bashkë në aleancën e NATO-s”.

Lidhur me rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, Rama tha se “ky është një proces i njohur në traditën e Këshillit të Sigurimit ku dy vende bëhen bashkë për të adresuar një apo dy dosje të caktuara dhe SHBA-të na i propozuan ne këtë bashkim, ne e pranuam me kënaqësi dhe përgjegjësi dhe natyrisht kjo na jep mundësinë që në Këshillin e Sigurimit të luajmë një rol të veçantë”.

I pyetur nëse Shqipëria pritet të paraqesë një rezolutë për çështjen e Ukrainës, Kryeministri Rama tha se “kjo nuk është një çështje e Shqipërisë, kjo është një çështje tanimë e të gjithë botës, e Kombeve të Bashkuara e Këshillit të Sigurimit patjetër në këtë proces ne do të jemi krah për krah me SHBA-të. Sigurisht që të jemi krejt realistë vendimmarrja i takon SHBA-së”.

Pyetjes nëse ka qytetarë shqiptarë në Ukrainë dhe nëse ata janë larguar, Rama iu përgjigj se “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka marrë të gjitha masat e nevojshme ashtu siç e ka konsideruar të arsyeshme. Ne kemi disa qytetarë shqiptarë që janë pjesë e misionit të monitorimit të OSBE-së , të cilët do të vazhdojnë të qëndrojnë atje”.

 

Fraksion.com