Blinken: Mbresa të veçanta për mikpritjen ofruar refugjatëve afganë
Kryeministri Edi Rama, në vijim të vizitës në SHBA zhvilloi një takim sot në Departamentin e Shtetit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari Blinken i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Rama dhe shprehu kënaqësinë për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB për periudhën 2022-2023.
Ai vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë ndër vite, në organizma të shumta të Kombeve të Bashkuara, në të mirë të paqes dhe mirëkuptimit mes vendeve.
Në mënyrë të veçantë, Sekretari amerikan i Shtetit vlerësoi gatishmërinë e Kryeministrit Rama dhe të qeverisë shqiptare për të ofruar strehë dhe mikpritje për refugjatët afganë në Shqipëri.
“Më duhet t’ju them Kryeministër atë që më ka mbetur mbresë e do të mbetet për një kohë të gjatë, fakti që, në fillim të verës, pasi shpallëm se do të largoheshim nga Afganistani dhe do t’i jepnim fund luftës atje, ju ishit i pari që u ofruat të prisnit refugjatët, të shpëtuarit afganë dhe kjo është saktësisht ajo që bëtë. Ky është një nderim i madh për ju dhe për bujarinë e Shqipërisë, që iu ofruat një strehë të sigurt mbi 2000 afganëve. Ju jam mirënjohës për këtë, por edhe për punën që bëni çdo ditë në Europë për sigurinë dhe forcimin e lidhjeve të ngushta, sidomos përmes NATO-s dhe, po ashtu, siç e thashë, në Këshillin e Sigurimit, ku kemi shumë çështje sfiduese për të cilat duhet të punojmë së bashku”, u shpreh Blinken.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama falenderoi Sekretarin Blinken dhe shprehu kënaqësinë për takimin e zhvilluar në nisje të vitit, që shënon 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
“Ne e vlerësojmë këtë miqësi, këtë marrëdhënie si gjënë më të vyer. Jemi shumë krenarë të gjendemi krah jush dhe të ndihmojmë sa të mundemi, për të kthyer atë çka ju keni bërë për ne gjatë këtyre viteve, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Kështu, jemi shumë krenarë që jemi aleatët tuaj dhe do të bëjmë maksimumin për ta merituar këtë miqësi të veçantë”, u shpreh Kryeministri Rama gjatë takimit.
Kryeministri Rama dhe Sekretari Blinken vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes vendeve, të konkretizuara në një sërë marrëveshjesh partneriteti me interes të ndërsjellë dhe theksuan angazhimin e përbashkët për thellimin e tyre të mëtejshëm. Sekretari Blinken u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin e suksesshëm mes SHBA-së dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme.
Fraksion.com