Basha: Ndarja e re territoriale, domosdoshmëri urgjente
Partia Demokratike zhvilloi sot një takim me ekspertë për Reformën Territoriale.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se “rindarja territoriale e Shqipërisë është një domosdoshmëri urgjente, e duan shqiptarët nga jugu në veri, nga Dukagjini në Delvinë, nga Vermoshi në Konispol”.
“Edhe gjatë fushatës së kaluar një nga çështjet që kemi shtruar është duam pushtetin vendor të na kthehet, pushteti vendor që e kanë përqendruar, hequr, zhdukur. Duam të na kthehet në radhë të parë si demokraci dhe në radhë të dytë si shërbime dhe së dyti, për të luftuar armikun numër një të kësaj shoqërie, korrupsionin. Këtë shoqëri po e shkatërron korrupsioni, mirëqenien e shqiptarëve po e shkatërron korrupsioni. Nuk ka rrugë tjetër përveç se të fuqizojmë të gjitha instrumentet që i kundërvihen përqendrimit të pushtetit, që do të thotë përqendrimi i korrupsionit. Një nga këto instrumente, ndër më kryesorët, por që nuk mund të zëvendësojë as drejtësinë, as zgjedhjet e lira e të ndershme, është edhe decentralizimi real”, theksoi Basha.
Kreu i PD-së tha se “dy janë synimet e këtij procesi: i pari, ajo që nuk ndodhi në 2015-ën nuk mund të lejojmë të ndodhë më, të mos dëgjohet zëri i njerëzve. Nuk mund të lejojmë një sistem të dështuar që e ka larguar shërbimin nga qytetari që vetëm e vetëm qeveria qendrore të vjedhë 430 milionë euro për shërbime që nuk kryhen”.
“Së dyti, një decentralizim real i pushtetit, që në fakt është nga tiparet identitare të politikës së djathtë, konservatore, të Partisë Demokratike. Jo për hir të të qenit si e tillë, se ne nuk operojmë në baze dogmash dhe ideologjisë, por për atë që thash në fillim: pushteti më i mirë është pushteti afër qytetarit. Sepse edhe në ketë mënyrë qytetari e di që paguan dhe i merr shërbimet për të cilat paguhet”, nënvizoi Basha.
Ndaj, vijoi Basha, ju ftoj ta nisim ketë rrugëtim, i cili hapet apo më mirë të themi që fillon për shkak të vullnetit politik të Partisë Demokratike.
“Ndërkohe ne të gjithë së bashku kemi detyrën që përmes gjithë mekanizmave të mundshëm tani përmes reformës territoriale pavarësisht bindjeve politike, pavarësisht përkatësisë politike t’ju rikthejmë shqiptarëve atë që ua morën me dhunë në 2015, autonomin e vetëqeverisjes vendore dhe kam besim të madh se me ndihmën e ekspertëve më të mirë të fushës qe ndodhen sot këtu dhe të tjerë qe do na bashkohen në ditët dhe javët në vijim, me ndihmën e partnerëve që kanë qëndruar afër dhe na kanë konstatuar dokumentet të detajuar, Këshilli i Europës, Kongresi i autoriteteve lokale, Komiteti i rajoneve i Bashkimit Europian dështimin e 2015 ne prapë se prapë mund të ndërtojmë mbi këto rrënoja një Shqipëri me një qeverisje vendore funksionale”, theksoi Basha.
Basha tha se “kjo tryezë e parë, i paraprin shumë tryezave të tjera, por turi i Partisë Demokratike nuk do të ketë në fokus vetëm konsultimet në këto tryeza, por konsultimet me qytetarët”.
“Ne shpresojmë që kjo të ndodhë jo thjeshtë nëpërmjet instrumenteve të PD-së si këmbëngulësja, si prijësja e procesit të një reforme të re territoriale administrative të vetëqeverisjes vendore, por të jetë një proces kombëtar jo partizan. Sepse ne ndodhemi sot në këtë gjendje që e patë nga anketa e kryer nga studiuesit me ndihmën bujare të fondacionit ‘Konrad Adenauer’ që gjej rastin t’i shpreh mirënjohjen për kontributin që vazhdon të japë për vetëqeverisjen vendore në Shqipëri sikundër dhe vendeve të ndryshme që financojnë bujarisht, natyrisht u veçua programi që u financua nga ambasada e Zvicrës, por po kështu dhe nga institucione të tjera Evropiane dhe të SHBA-së”, nënvizoi Basha.
Fraksion.com