AktualitetBota+Të fundit

Ukrainë dhe Rusi: Olaf Scholz në një mision delikat

Shërbimet e inteligjencës amerikane po japin alarmin, edhe Gjermania u kërkon qytetarëve të saj të largohen nga Ukraina. Kancelari Scholz tani viziton Kievin dhe Moskën. Situata është jashtëzakonisht e rrezikshme.  

Pritje të mëdha rëndojnë mbi kancelarin Olaf Scholz, edhe nëse qeveria federale përpiqet paraprakisht t’i ulë shpresat. Sipas burimeve qeveritare, Scholzi nuk pritet të kthehet nga Moska në Berlin të martën në mbrëmje me një rezultat konkret. Biseda është pjesë e përpjekjeve intensive diplomatike nga të gjithë aleatët. Me synimin për të mbajtur vazhdën e diskutimeve me Rusinë për një deeskalim me hapa konkretë.

Kancelari flet për një “strategji të dyfishtë”. Nga njëra anë negociojmë, nga ana tjetër kërcënojmë. “Në rast agresioni ushtarak kundër Ukrainës, që rrezikon integritetin territorial dhe sovranitetin e saj, kjo çon në reagime dhe sanksione të ashpra të cilat ne i kemi përgatitur me kujdes dhe të cilat mund t’i vëmë menjëherë në fuqi. Së bashku me aleatët tanë në Evropë dhe brenda NATO-s. Aleanca është e bashkuar dhe e vendosur”, deklaroi pak ditë më parë Scholz.“Askush nuk duhet të presë që do të ndahemi, ne do të veprojmë në mënyrë të unifikuar”.

Marrëdhëniet gjermane me Rusinë janë të veçanta

E megjithatë, vizita e kancelarit gjerman në Kiev dhe Moskë duhet parë ndryshe nga, për shembull, udhëtimi i presidentit francez Emmanuel Macron një javë më parë. Marrëdhëniet dypalëshe gjermane nuk mund të shikohen kurrë në mënyrë ahistorike, argumentohet në qarqet qeveritare.

Në emër të Gjermanisë, rajonit i janë shkaktuar vuajtje të pafundme. Ne duhet të jemi mirënjohës që kemi arritur të rivendosim marrëdhëniet midis popujve të dy vendeve gjatë dekadave të fundit. Por kjo nuk rezulton në një rol të veçantë për Gjermaninë. “Ne jemi të integruar në atë që po përpiqen të bëjnë të gjithë.”

Sipas burimeve qeveritare, kancelari gjithashtu nuk do të bëjë premtime për dërgimin e armëve në Kiev. Nga ana tjetër, do të shqyrtohet një listë dëshirash për pajisjet ushtarake, ku ndër të tjera ka sisteme elektronike të gjurmimit, pajisje për çminim, kostume mbrojtëse, pajisje radio digjitale, stacione radari apo pajisje për shikim natën.

Ndihmë e mundshme ekonomike

“Njëra apo tjetra mund të ‘shqyrtohen më nga afër’, gjë që po bëhet, thuhet në Berlin. Përveç vendimit politik, bëhet fjalë edhe për disponueshmërinë aktuale “Në Bundeswehr nuk kemi asgjë tepër, atje nuk rrinë pa përdorur 1000 pajisje të shikimit natën”.

Duket se Olaf Scholzi do t’i ofrojë Ukrainës ndihmë ekonomike shtesë. Këtë e kërkon edhe Kievi. Vitet e fundit, Gjermania ka qenë donatori kryesor me rreth dy miliardë euro për të stabilizuar ekonominë. Aktualisht, monedha ukrainase është nën presion të madh, gjë që pritet ta ndërlikojë më tej situatën. “Ukraina mund të jetë e sigurt se ne po tregojmë solidaritetin e nevojshëm, si në të kaluarën”, tha Scholzi./DW

 

Fraksion.com