AktualitetPolitikëTë fundit

Rama takim në New York me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, António Guterres

Kryeministri Edi Rama takoi sot Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, António Guterres në New York.

Rama u shpreh se ky takim vjen pak javë pasi Shqipëria ka nisur mandatin e saj dyvjeçar si anëtare e Këshillit të Sigurimit, ku sapo ka marrë edhe përgjegjësinë e bashkëpenëmbajtësit me Shtetet e Bashkuara.

“Krenar për Shqipërinë. New York, selia e Kombeve të Bashkuara – Takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, António Guterres, pak javë pasi Shqipëria ka nisur mandatin e saj dyvjeçar si anëtare e Këshillit të Sigurimit, ku sapo ka marrë edhe përgjegjësinë e bashkëpenëmbajtësit me Shtetet e Bashkuara”, shprehet Rama teksa ka publikuar edhe një video me pamje nga takimi.

Kryeministri Edi Rama ndodhet prej ditës së djeshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa sot do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Shqipëria është anëtare e përkohshme.

Sipas medieve, në vizitën 4-ditore, më 15 shkurt në Uashington, Rama do të ketë një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.

Ky takim i Kryeministrit Rama vjen pas vendimit që SHBA dhe vendi ynë do të jenë bashkëpenëmbajtës të çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Përveç Këshillit të Sigurimit dhe takimit me Sekretarin e Shtetit, kreu i qeverisë shqiptare do të zhvillojë edhe takime me zyrtarë të tjerë për të diskutuar mbi bashkëpunimin e mundshëm ushtarak dhe arsimor mes dy vendeve.

Gjatë këtij mandati, Shqipëria ulet në tryezën më të lartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin. Si anëtare e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023, Shqipëria është e gatshme të ofrojë kontributin e saj në shërbim të paqes dhe sigurisë, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm ndërkombëtar.

Në takim merrte pjesë edhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka.

 

Fraksion.com