Rama publikon fotoalbumin e javës
Kryeministri Edi Rama ka publikuar fotoalbumin e javës me përmbledhjen e aktiviteteve kryesore gjatë javës që kaloi.
Fotoalbumi i Kryeministrit Rama nis me takimin që zhvilloi të enjten përpara se t’i drejtohej Parlamentit, me banorët e lagjes 5 Maji, të cilët kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre që i hap rrugë ndërtimit të Unazës së Madhe. Kryeministri zgjodhi një përfaqësi të tyre dhe i ftoi ata për bisedime në zyrën e Kuvendit të Shqipërisë. Pasi i dëgjoi kërkesat e tyre, Kryeministri siguroi se pavarësisht se shtëpitë e tyre janë pa leje dhe nuk mund të legalizohen, pasi pengojnë zhvillimin e një projekti të rëndësishëm, familjet nuk do të mbeten jashtë dhe pa përkrahje.Rama i siguroi banorët se me kompensimin e tyre do të veprohet njëlloj si me banorët që humbën shtëpitë nga tërmeti dhe deri në ditën e marrjes së shtëpisë së re paguhet nga shteti një bonus qiraje për familjen.
Gjatë javës që u zhvillua mbledhja e Kryesisë së PS-së mbi Këshillimin Kombëtar dhe zgjedhjet pjesore vendore në 6 bashki. Në një prononcim për mediat pas mbledhjes, Rama deklaroi se Këshillimi Kombëtar “është një proces i ri, por shpresoj shumë që, hap pas hapi të na japi mundësinë ta fusim politikën në hullirin e çështjeve që kanë rëndësi për jetën e përditshme të njerëzve, të çështjeve që kanë lidhje me vendimet e qeverisë”.
Në fotoalbum pasqyrohen edhe takimet që zhvilloi kryeministri Rama në Itali me Ministren e Universitetit dhe Kërkimeve Maria Cristina Messa dhe rektorët e universiteteve të Romës dhe rajonit të Lazios, me qëllim rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e studimeve universitare, për rritur shkëmbimet mes stafeve akademike dhe bashkuar programe për diploma të dyfishta. Në këtë takim u nënshkruan marrëveshjet për diploma të dyfishta midis universitetit të Tuscia-s në Itali dhe universiteteve shqiptare: Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Bujqësor, Universiteti Mesdhetar.
Një tjetër moment i fotoalbumit është edhe prezantimi në Krujë i nismës së qeverisë për bonusin të rijetësimit të shtëpive të vjetra, në funksion të ekonomisë familjare e turizmit. Nisma vjen si një tjetër element për të rigjallëruar qytezat historike, duke i ardhur në ndihmë banorëve të zonave historike, të ansambleve, të zonave arkeologjike, përmes granteve për kthimin e banesës së vjetër tradicionale në një vatër ekonomike. Gjithashtu u prezantua projekti për restaurimin e Muzeut Etnografik, një nga sitet më të rëndësishme të dëmtuara nga tërmeti.
Gjatë javës që shkoi, Rama vizitoi “Qytetin e trafikut”, këndi i parë edukativ dhe argëtues për fëmijët, dedikuar sigurisë rrugore, ku përmes lojës vogëlushët edukohen mbi rregullat dhe sinjalistikat e qarkullimit rrugor. Rijetësimi i kësaj hapësirë të posaçme nis në Tiranë dhe do të vazhdojë rrugëtimin edhe në qytetet e tjera të vendit, nga veriu në jug.
Fraksion.com