AktualitetBota+Të fundit

Frank-Walter Steinmeier rizgjidhet President i Gjermanisë

Gjermania zgjodhi sot kreun e ri të shtetit. Presidenti aktual, Frank-Walter Steinmeier u rizgjodh në këtë post për një mandat të dytë. Në detyrën më të lartë shtetërore ai u zgjodh për herë të parë në vitin 2017.

Asambleja Federale rizgjodhi sot në Berlin Frank-Walter Steinmeier si President Federal të Gjermanisë. Ky është mandati i dytë për Steinmeierin. Atë e propozuan për mandatin e ri partitë qeveritare SPD, të Gjelbrit dhe FDP, si dhe opozita CDU/CSU. Së bashku, ato kishin një shumicë të madhe në Asamblenë Federale.

Frank Walter Steinmeier u zgjodh në këtë post me 1045 vota. Nga 1437 vota të dhëna, 1425 qenë të vlefshme, 12 të pavlefshme, 86 abstenime.

Steinmeieri e pranoi zgjedhjen dhe falenderoi. Ai shprehu respektin për bashkëkandiduesit për postin e Presidentit Federal. Ai tha se do të jetë President mbipartiak, por jo neutral, kur është fjala për demokracinë. Ai që angazhohet për demokracinë, më ka në anën e tij, ai që është kundër saj, më ka kundër, tha ai.

Steinmeieri tha se mund të diskutohet shumë për shkaqet e ftohjes midis Rusisë dhe Perëndimit. Por, shtoi ai, “ne jemi në mes të një rreziku të një lufte dhe për këtë Rusia mban përgjegjësi”. Presidenti gjerman tha se marshimi i trupave ruse është një kërcënim për Ukrainën. Asnjë vend i botës nuk ka të drejtë të shkatërrojë të drejtën e një vendi për të jetuar në paqe.

Mos e nënvlerësoni forcën e demokracisë

Mos e nënvlerësoni forcën e demokracisë, tha Steinmeier në adresë të Presidentit Putin. Në adresë të lituanezëve, polakëve, sllovakëve, rumunëve Presidenti gjerman tha se “mund të mbështeni te ne, ne jemi pjese e NATOS pa asnjë dykuptueshmeri ne deklarohemi në mbështetje të detyrimeve në këtë aleancë”.

Steinmeieri tha do të punonte për të kapërcyer plagët në shoqëri, të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit. Ai tha se do të debatojë, por vija e kuqe janë urrejtja dhe dhuna.

Kundër Steinmeierit konkuruan për Të Majtën Gerhard Trabert, i cili mori 96 vota, ekonomisti Max Otte, anëtar i CDU-së, për AfD-në, që mori 140 vota. Zgjedhësit e Lirë (Freie Wähler) dërguan në garë fizikanen Stefanie Gebauer, e cila mori 58 vota.

Në fjalën e saj të hapjes, Presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas tha, duke iu referuar pandemisë së koronas, se kjo Asamble Federale tregoi se shteti gjerman mund të funksionojë edhe në kushte të vështira. Ajo dëshiron nga shoqëria një sjellje me respekt për njëri-tjetrin. Të gjithë duhet të luajnë sipas rregullave të lojës, të gjithë kanë të drejtë të mendojnë se masat e koronas janë shumë të ashpra. Por ai që nuk respekton ligjin e shkel atë. Shumica nuk ka automatikisht të drejtë, por as pakica. “Ne duhet të lejojmë një garë argumentesh, demokracia jeton nga qëndrimi i hapur,” tha Bas.

Kreu i shtetit gjerman nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, por nga Asambleja Federale. Asambleja Federale është organi më i madh parlamentar në Gjermani, misioni i vetëm i të cilit është të zgjedhë kreun e shtetit çdo pesë vjet. Ajo përbëhet nga deputetë të Bundestagut gjerman dhe një numër i barabartë njerëzish të dërguar nga 16 parlamentet rajonale. Duke qenë se Bundestagu aktualisht ka 736 deputetë, Asambleja Federale pati këtë herë 1472 votues – një numër i paarritur më parë.

Një organ zgjedhor i përbërë nga personalitete

Asambleja Federale e vitit 2022 përfshiu edhe ish-kancelaren Angela Merkel, e cila doli në publik për herë të parë që nga përfundimi i mandatit të saj. Në zgjedhje mori pjesë edhe Özlem Türeci, bashkëthemeluese i kompanisë së vaksinave kundër COVID me bazë në Mainz, BioNTech, dhe virologu Christian Drosten. Personalitete nga kultura, sporti dhe shkenca si astronauti Alexander Gerst, aktorja Fritzi Haberlandt, artisti i kabaresë Dieter Nuhr dhe ylli i muzikës Roland Kaiser ishin gjithashtu pjesë e asamblesë.

Gjatë karrierës së tij politike, Steinmeieri shërbeu veçanërisht si kreu i kancelarisë nën Gerhard Schröderin, udhëheqës i grupit SPD në Bundestag dhe ministër i Jashtëm nën Angela Merkelin. 66 vjeçari është presidenti i pestë federal që kandidon për një mandat të dytë. Në shkurt 2017, ai e mori detyrën më të lartë shtetërore nga paraardhësi i tij jopartiak Joachim Gauck./DW

 

Fraksion.com