AktualitetBota+NATO/BETë fundit

SHBA dërgojnë 3 mijë trupa të tjera në Poloni

Pentagoni po dërgon 3,000 trupa të tjera në Poloni për t’u bashkuar me 1,700 ushtarët amerikanë që tashmë ndodhen atje për të shprehur përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleatëve të NATO-s, të shqetësuar nga perspektiva e një pushtimi rus të Ukrainës, tha të premten një zyrtar i lartë i mbrojtjes.

Ushtarët shtesë do të largohen nga baza e tyre në Fort Bragg të Karolinës Veriut gjatë dy ditëve të ardhshme dhe pritet të arrijnë në Poloni në fillim të javës së ardhshme, tha zyrtari i Pentagonit. Ata janë pjesë e një brigade këmbësorie të Divizionit të 82-të Ajror.

Misioni i tyre do të jetë stërvitja me trupat aleate dhe të shërbejë si një forcë parandaluese por që nuk do të përfshihet në lufime në Ukrainë, nëse Rusia e sulmon atë.

Njoftimi erdhi menjëherë pasi Jake Sullivan, këshilltari i sigurisë kombëtare i Presidentit Joe Biden, lëshoi një paralajmërim publik për të gjithë qytetarët amerikanë në Ukrainë që të largohen nga vendi sa më shpejt që të jetë e mundur. Zoti Sullivan tha se presidenti rus Vladimir Putin mund të japë urdhrin për të nisur një pushtim të Ukrainës në ditët e ardhshme.

Përveç dislokimit të trupave amerikane në Poloni, rreth 1000 ushtarë amerikanë me bazë në Gjermani po zhvendosen në Rumani në një mision të ngjashëm sigurie për të mbështetur një aleat tjetër të NATO-s. 300 ushtarë tjerë të një njësie të Korpusit të 18-të Ajror kanë mbërritur në Gjermani, të drejtuara nga gjeneral-lejtnanti Michael E. Kurilla.

Trupat amerikane do të stërviten me forcat e vendit mikpritës, por nuk do të hyjnë në Ukrainë, pavarësisht situatës që mund jetë atje.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë rreth 80,000 trupa në të gjithë Evropën me status të përhershëm dhe në dislokime me rotacion.

 

Fraksion.com