“Toyota Yaris”; Basha del nga SPAK: Kam kënaqësinë të jem përsëri me praninë e përfaqësuesit e drejtësisë belge
Kreu i PD, Lulzim Basha ka dhënë një deklaratë për mediat pasi doli nga dyert e SPAK, ku është pyetur nga prokurorët belgë për çështjen e “Toyota Yaris”.
Basha tha se PD është zotuar të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, ndërsa u bëri apel punonjësve të SPAK dhe BKH të hetojnë dhe luftojnë krimin e të gjitha formave, pasi siç tha ai të vetmin shef që ata kanë janë qytetarët shqiptar.
‘Kam kënaqësinë të jem përsëri me praninë e përfaqësuesit e drejtësisë belge që kanë konfirmuar të vërtetën dhe kanë hedhur poshtë gënjeshtrën. Çështja në Belgjikë nuk është mbyllur, siç ka ndodhur me çështjen këtu. Paratë e konfiskuara mbeten të konfiskuara. Hetimi në Belgjikë vazhdon dhe ata janë të angazhuar ta dërgojnë deri në fund. Në këtë kuadër, do të bashkëpunoj me drejtësinë belge dhe të çdo vendi partner në luftën ndaj korrupsionit. E bëj këtë me vetëdijen që ky është një mision që i përket PD, në emër të gjithë shqiptarëve. Ky është proces që bëhet, por të tillë ka të shumtë, krimi i organizuar është problem i madh.
Një gjë dua t’i siguroj të gjithë shqiptarët, unë dhe PD jo vetëm jemi në dispozicion të drejtësisë belge, por të drejtësisë në tërësi dhe do të vazhdoj të jemi kundër krimit të organizuar, duan apo nuk duan të korruptuarit, non gratat e shpallur e të pa shpallur. Çështja është mbyllur. Janë ndarë paratë mes politikanëve të korruptuar. Paratë janë konfiskuar, procesi vijon në Belgjikë dhe kanë mbështetjen tonë të plotë. Punonjësit e ndershëm të SPAK dhe BKH kanë mbështetjen tonë në këtë luftë. Ata s’janë vartësit e askujt përveç ligjit dhe taksapaguesve shqiptarë”, tha Basha.
Kujtojmë se në qershor të viti 2018, Basha denoncoi 3.4 milionë euro të fshehura brenda makinave Toyota Yaris përpara se të mbërrinin në Portin e Durrësit.
Shumat e parave e nisur nga Belgjika u sekuestrua nga policia në datën 24 qershor, pak ditë pas deklaratës së Bashës.
Kryetarit të PD-së i duhet të dëshmojë përpara prokurorëve belgë për faktin se si ka qenë në dijeni për ngjarjen dhe shumën e parave përpara se të mbërrinin në Shqipëri.
Fraksion.com