Podgoricë: Shkarkohet Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi
Deputetët e Parlamentit të Malit të Zi në një seancë të jashtëzakonshme votuan për shkarkimin e Kryetarit të Parlamentit, Aleksa Beçiq.
Beçiq: Shkarkimi është absurd
Deputetët Demokratë akuzuan kolegët nga radhët e URA-s për tradhti dhe bashkëpunim me Partinë Demokratike të Socialistëve. Ndërkaq vetë Beçiq në fjalën përfundimtare tha se propozimi për shkarkimin e tij nuk ka bazë dhe është absurd. “Nëse dikush dëshiron të bëjë shumicën me ata që i kemi mundur në zgjedhje, atëhere kemi të bëjmë me vetë-destruktim.” Kjo është rruga e vetë shkatërrimit politik, u shpreh ashpër Aleksa Beçiq, duke përmendur, se “është krenar për rezultatet e arritura dhe për atë se është funksionari i parë pas fitores historike të 30 gushtit të viti 2020”. Në fjalën e tij Beçiq veçoi arritjet e Parlamentit gjatë punës së tij dhe vlerësimet që ka marrë nga kolegë nga rajoni dhe bota.
Priten protesta
DIshte deputetja nga radhët e URA-s së Dritan Abazoviqit, Bozhena Jellushiq, e cila iu kundërvu akuzave të Demokratëve në Parlament. Ju po “akuzoni para se të shihni se çfarë do të ndodhë”, u shpreh ajo dhe shtoi se Mali i Zi duhet të mësohet me faktin se nuk mund të vijnë ditë të mira pa ndryshim disa herë të qeverive.
Edhe pse në shikim të parë seanca e parlamentit përfundoi qetë, vetë Kryetari i Parlamentit tashmë i shkarkuar, tha se do të përdorin të gjitha format demokratike dhe do të kundërshtojnë formimin e shumicës me Partinë Demokratike të Socialistëve. Protestat e paralajmëruara për ditën e mërkurë më 9 shkurt mund të priten siç u tha, në të gjitha qytetet e Malit të Zi. Mbetet të pritet se ç’qëndrim do të mbajë Kisha Ortodokse Serbe, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte pranë Frontit Demokratik dhe Demokratëve.