Këshilltari i presidentit Biden për shkencën jep dorëheqjen pas ankesave për keqtrajtim të personelit
Këshilltari i lartë i presidentit amerikan Joe Biden për shkencën dha dorëheqjen të hënën pasi dolën në dritë akuzat se ai kishte nënçmuar dhe ushtruar bulizëm ndaj anëtarëve të personelit të tij.
Eric Lander, i cili ishte drejtor i Zyrës së Politikave për Shkencën dhe Teknologjinë, ishte në shënjestër të një hetimi të brendshëm pasi vartësit e tij u ankuan mbi mënyrën se si ai i kishte trajtuar. Hetimi fillimisht u raportua nga Politico të hënën dhe u konfirmua nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
“Jam i dëshpëruar që i kam lënduar kolegët në të kaluarën dhe tani me mënyrën se si u kam folur”, tha Dr. Lander në letrën e dorëheqjes që ia dorëzoi Presidentit Biden.
Duke vënë në dukje se ai u përpoq të nxiste veten dhe kolegët duke “sfiduar dhe kritikuar” herë pas here, ai e pranoi se “gjërat që kam thënë dhe mënyrën se si i kam thënë, e kalonin kufirin nganjëherë edhe të mungesës së respektit dhe nënçmimit”.
Akuzat kundër zotit Lander janë të ndjeshme pasi presidenti Biden kur mori detyrën u zotua se do të mbante një qëndrim të ashpër ndaj çdo mungese të respektit në radhët e anëtarëve të administratës së tij dhe se do të ndryshonte mjedisin e krijuar nga retorika përçarëse e paraardhësit të tij, Donald Trump.
“Nëse punoni me mua dhe ju dëgjoj që trajtoni një koleg tjetër me mungesë respekti, nëse nënçmoni dikë, ju premtoj se do t’ju pushoj menjëherë nga puna”, u tha Presidenti Biden të emëruarve politikë gjatë një ceremonie betimi.
Të hënën në mbrëmje, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki bëri një deklaratë duke thënë se Presidenti Biden kishte pranuar letrën e dorëheqjes së zotit Lander “me mirënjohje për punën e tij”, duke përmendur rolin e tij në luftën kundër kancerit, ndryshimit të klimës dhe pandemisë së koronavirusit.
Zoti Lander tha se dorëheqja e tij duhet të hyjë në fuqi jo më vonë se data 18 shkurt.
Fraksion.com