Presidenti i Ukrainës e mirëpret ofertën e Erdoganit për ndërmjetësim
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka mirëpritur ofertën e homologut turk Rexhep Erdogan, për të ndërmjetësuar në tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës.
Duke folur të enjten gjatë vizitës në Kiev, presidenti turk tha se Turqia “është e përgatitur për ta ndërmarrë pjesën e vet me qëllim që t’i jepet fund krizës mes dy vendeve miqësore, që janë fqinje të saj në Detin e Zi”.
Erdogani, i cili ka lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, tha se ai “do të ishte i lumtur që të mbante një samit në nivelin e udhëheqësve në Turqi ose bisedime në nivelin teknik”, shkruan Free Europe, përcjell Gazeta Express.
Homologu ukrainas e falënderoi presidentin turk për nismën dhe i mirëpriti planet e Turqisë për t’i zgjeruar misionet e saj diplomatike në Ukrainë dhe një marrëveshje që u mundëson fabrikave ukrainase që të prodhojnë dron turq.
Turqia dhe Ukraina nënshkruan një varg marrëveshjesh gjatë takimit mes dy presidentëve, përfshirë marrëveshjen për tregti të lirë, për të cilën Kievi thotë se do ta fuqizojë tregtinë vjetore mes dy palëve në rreth 10 miliardë dollarë për pesë vjet, nga 7 miliardë sa është tash.
Fraksion.com