AktualitetPolitikëTë fundit

Meta: Kushtetuesja s’mund të më shkarkojë

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi se, “Kushtetuesja s’mund të më shkarkojë”.

Në një intervistë televizive për News 24, Meta tha se, “Kuvendi i shkarkuar me 25 prill vendosi të shkarkojë Presidentin. Parlamenti aktual, nga 140 deputetë ka vetëm 40 deputetë nga Parlamenti i shkuar. Ky Parlament a ju qëndron akuzave të bëra nga Parlamenti i shkarkuar?”.

Meta theksoi se, “nuk shkova në Gjykatën Kushtetuese, sepse kjo nuk është një çështje e rëndësishme. Unë kam shkuar në Gjykatën Kushtetuese, për çështjen e Teatrit Kombëtar, për të ndaluar dhunën policore ndaj qytetarëve”.

Meta u shpreh se, “për 72 pyetjet e bëra nga Gjykata Kushtetuese do të përgjigjem personalisht para të gjithë qytetarëve shqiptarë”.

Meta tha më tej se, “për çështjen e Gjykatës Kushtetuese, për legjitimitetin e saj, që mos të betoheshin të lumi i Lanës, unë bashkë me popullin e 2 Marsit dola në shesh, dhe unë tani i drejtohem popullit të 2 Marsit”.

Meta shtoi se, “populli shqiptar më 26 prill i ka caktuar një rol Ilir Metës, për të ringjallur opozitën”.

Për djegien e mandateve nga LSI, Meta u shpreh se, “Znj.Kryemadhi me vendimin e saj për lënien e mandateve ka marrë një vendim të gabuar. U gënjye? Çështja e saj dhe e LSI t’i besonte dikujt që i gënjeu”.

“Tani jemi në funksion të opozitarizmit dhe të demokracisë në vend. Tani jemi në mbrojtje të Kushtetutës. Nuk mund të shprehemi më tani për një jetë politike normale”, tha Meta.

“Nuk mund të ketë një President mbi palët kur të gjitha pushtetet janë të kapura”, shtoi Meta më tej.

Meta u shpreh i bindur se, “pas 20 vitesh do marrë një mandat të dytë si President”.

Sa i përket pyetjeve të Gjykatës Kushtetuese,  Meta tha se, “pyetjet që do të bëhen do të marrin të gjitha përgjigje shteruese. Për fat të keq në Gjykatën Kushtetuese, pjesëmarrësit u caktuan pa short dhe kjo është në shkelje të Kushtetutës. Unë nuk mund të bëhem palë e kësaj shkelje”.

Meta shtoi se, “populli opozitar u tradhtua si kurrë me parë, në të gjitha vitet e shtetit shqiptar, nga klasa e vet politike”.

Meta u shpreh më tej se, “dita ime nuk është 6 marsi, dita ime është 2 Marsi. Roli im është vetëm sovrani dhe opozitarizimi i vërtet dhe përfshirja e gjithë qytetarëve për demokraci”.

Sa i përket takimit me ish-kryeministrin Berisha, Meta tha se, “takimin me Berishën e kërkova unë, për t’u çmallur. Takimi zgjati rreth 30 minuta, në mes të ditës, në mes të Gardës, në Pallatin e Brigadave”.

Meta theksoi se ka zero marrëveshje nga ana e tij me Berishën. “Zero, zero, zero marrëveshje nga ana ime në emër të LSI me Doktorin”, u shpreh Meta.Meta shtoi se, “në detyrën time si President nuk kam punuar kurrë në favor të LSI. Unë kam takuar dhe kam këshilluar dhe Lulzim Bashën, por kam këshilluar dhe zotin Rama”.

Më tej Meta tha se, “brenda një viti do të marrë pjesë në gara, ndoshta edhe me herët, por pasi të mbarojë mandatin e Presidentit”.

Meta e cilësoi si të papranueshme shpalljen “Non Grata” nga SHBA të bashkëshortes së ish-Kryeministrit, Sali Berisha, Liri Berishës.

“Nuk do të isha mërzitur fare nëse SHBA dhe BE do të shpallnin “Non Grata” Monika Kryemadhin pse dogji mandatet. Por të shpallësh “Non Grata” një grua të shkëlqyer, të nderuar dhe që nuk ka lidhje me politikën, por vetëm në shërbim të fëmijëve në nevojë, si Liri Berisha, është tërësisht e papranueshme”, tha ai.

Meta shtoi se, “gjithçka që i shërben zhbërjes së opozitarizimit në vend dhe që është në favor të gruas së Bilalit për mua është e papranueshme”.

Për kreun e PD, Lulzim Basha, Meta tha se, “unë jam munduar që ta kthej Lulzim Bashën në një njeri normal, sepse lider ai nuk mund të bëhet kurrë. Është një njeri që gënjen për orën, por që gënjen dhe në gjumë. Është një politikan që ëndërron për të marrë një vizë”.

 

Fraksion.com