Balla-deputetëve të PD-së: Sa herë flisni për marrëveshjen me Greqinë, fillojeni me një ndjesë
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla duke iu përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike lidhur me ngritjen e një qendre të përbashkët kufitare mes Greqisë dhe Shqipërisë tha se “nuk është marrëveshja e detit me Greqinë që është votuar në 2009”.
Në fjalën e tij në Kuvend ku po diskutohet projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për ngritjen dhe funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore”, Balla tha se “mendoj që Partia Demokratike duhet të votojë këtë marrëveshje, e keni votuar në komisione dhe nuk gjej lidhje mes votës pro të marrëveshjes dhe argumentet që u ngritën. Këto janë marrëveshje kuadër pasi edhe mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian edhe mes vendeve që bëjnë pjesë në hapësirën Shengen funksionojnë qendra të tilla, aty ku nuk ka fare kufij mes Hungarisë dhe Rumanisë, Çekisë dhe Sllovakisë. Mes kujtdo vendi që ka një kufi me një vend tjetër anëtar të hapësirës të përbashkët të BE-së funksionojnë qendra të tilla që kanë të specifikuar qartë edhe arsyen përse ngrihen”, theksoi Balla.
Balla u shpreh se “biem të gjithë dakord që krimi ndërkufitar është vështirësisht i zbulueshëm dhe i ndëshkueshëm, nëse ngrihen qendra të tilla. Qendra do të funksionojë në doganën e Kakavijës. Informacioni që do të qarkullojë në këtë qendër është ndihmesë për të dy strukturat, si për policinë shqiptare dhe atë greke, por edhe mes doganës shqiptare dhe asaj greke për të parandaluar çdo lloj forme trafikimi”.
“Në 30 vitet e fundit kemi pasur forma nga më të ndryshmet që nga vjedhja e objekteve kulturore që përfshihen në marrëveshje, edhe trafikimi i lëndëve narkotike, por të mos harrojmë edhe situatat e reja që u krijuan vazhdojnë të ekzistojnë në kuadër të trafikimit të shtetasve që vijnë nga zona në konflikt, të cilët përmes Greqisë kalojnë në Shqipëri për të shkuar më pas në Evropën veriore”, nënvizoi Balla.
Sipas tij, intensifikimi i komunikimit mes dy shteteve është diçka e dobishme.
Duke iu drejtuar deputetit të PD-së, Dashnor Sula, Balla tha se “nuk është marrëveshja me Greqinë që është votuar në 2009. Ti e ke votuar në 2009 marrëveshjen që negocioi Luli dhe e bekoi Saliu, sepse ata i kanë bërë bashkë të gjitha pisllëqet, të gjitha haqet me drejtësinë i kanë bërë bashkë nga 2005 e këtej. Saliu është ‘non grata’, por pjesë e non gratës së Saliu është edhe Luli, se nuk mund të falet Luli nga kjo histori”.
“Nëse nuk do të kishte qenë grupi parlamentar i PS, për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese atë marrëveshje, Shqipëria do të kishte humbur mijëra metra katrorë det, për shkak të një marrëveshjeje të Saliut, firmosur nga Luli. Kjo nuk është marrëveshja e detit. Përkundrazi, qendra ngrihet në tokën greke ku punonjës të policisë shqiptare e asaj greke do punojnë bashkë në luftën kundër trafikut”, tha Balla.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së u shpreh se “bëjeni opozitën, kur keni argumente. Doni apo s’doni, Shqipëria do të ecë përpara në rrugën evropiane. Do vijë një moment kur do të anëtarësohemi në BE, do të vijë një moment ku do të anëtarësohemi edhe në marrëveshjen Shengen dhe s’do të ketë më kufij as me Greqinë e as me një vend tjetër”.
“Po negociojmë dhe hapësira të reja, që janë paradhoma e anëtarësimit në zonën Shengen, marrëveshjet e Ballkanit të Hapur. Unë e di që Sali Berishës këto i shkaktojnë fobi, hapja, integrimi, anëtarësimi në BE. Por ju të tjerët mendoj se nuk duhet të lidhni marrëveshje, që i bëjnë mirë vendit. Ka shumë shqiptarë që iu është refuzuar në mënyrë të padrejtë hyrja në tokën greke, për shkak të veprimeve, që mund të kenë qenë arbitrare në një moment. Kur bëhen punë të mira, të gjithë duhet t’i themi përgëzime qeverisë. Duhet të intensifikohet puna. Nëse keni ndonjë gjë për të thënë, sa herë ta merrni fjalën kur bie fjala për marrëveshjen me Greqinë, fillojeni me një ndjesë për marrëveshjen e 2009”, tha Balla.
Fraksion.com