AktualitetPolitikëTë fundit

Rama publikon hapësirën ku mblidhen përgjigjet e 12 pyetjeve të Këshillimit Kombëtar

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga procesi i punës ku grumbullohen të dhënat nga pyetësori i Këshillimit Kombëtar, një nismë që synon marrjen e mendimit të qytetarëve mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë.

Rama ftoi qytetarët ta dëgjojnë sa më shumë njëri-tjetrin për Shqipërinë.

“Mirëmëngjes dhe me hapësirën ku mblidhen përgjigjet e 12 pyetjeve të Këshillimit Kombëtar që vijnë përmes postës, si edhe duke ju ftuar ta dëgjojmë sa më shumë njëri-tjetrin për shtëpinë tonë, Shqipërinë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Drejtoresha e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli tha se “në këtë sallë do të hidhen përgjigjet e pyetësorit të Këshillimit Kombëtar, kemi filluar me një kapacitet sipas prurjeve të pyetësorit. Në javët në vazhdim do të kemi një kapacitet prej 40 operatorësh, të cilët do të vazhdojnë me procesin e mbledhjes”.

Në këtë sistem elektronik hidhen të dhënat e përgjigjeve e pyetësorit fizik që vijnë nga INSTAT dhe Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Të dhënat e pyetësorit fizik ato që vijnë me postë bashkohen në sistem me përgjigjet që vijnë nga plotësimi i formularëve online në platformën këshillimikombëtar.al.

Në 5 janar të këtij viti, kryeministri Rama njoftoi nisjen e procesit të Këshillimit Kombëtar, përmes të cilit qytetarët do të shprehin mendimin e tyre lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit, apo procesin e integrimit evropian të vendit.

 

Fraksion.com