Meta kërkoi dorëheqjen e 3 gjyqtarëve në çështjen e shkarkimit, Gjykata Kushtetuese tërhiqet për vendim paraprak
Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar sot seancën për shqyrtimin e kërkesës së Kuvendit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Presidenti Meta u përfaqësua në seancë me këshilltarin Ligjor, Bledar Dervishaj dhe drejtoreshën Juridike, Katrin Treska.
Drejtuesja e Kushtetueses, Vitore Tusha u shpreh në nisje të seancës se kushtetuta parashikon një procedurë të veçantë që nuk është zhvilluar kurrë më parë.
Përfaqësuesi i Presidentit Ilir Meta kërkoi që gjyqtarët Vitore Tusha, Fiona Papajorgji dhe Kalo të japin dorëheqjen sepse sipas tij kanë konflikt interesi, “nuk janë të paanshëm”.
Në seancë, Dervishaj ka sjellë në vëmendje edhe kërkesën për procedim disiplinor për dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që kanë shqyrtuar zgjedhjet e 30 qershorit. Ndër të tjera këshilltari ligjor i presidentit, bëri përgjegjës për këto shkelje Vitore Tushën dhe Përparim Kalon, duke theksuar se relatori i çështjes është përcaktuar pa short, në shkelje të procedurave.
Dervishaj ka thënë gjithashtu se Vitore Tusha, Fiona Papajorgji dhe Përparim Kalo duhet të japin dorëheqjen pasi kanë konflikt interesi për këtë çështje.
Presidenca publikoi më pas edhe kërkesën paraprake të depozituar sot në Gjykatën Kushtetuese “Për vlerësim nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të shkaqeve, për të cilat vihet në dyshim paanshmëria e tij/tyre dhe që sipas ligjit detyrohen të heqin dorë nga shqyrtimi i çështjes”.
Në seancën e Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit Meta, përfaqësuesja e Kuvendit, Klotilda Bushka është shprehur se kërkesa e presidentit për përjashtim gjyqtarësh është pa arsye dhe nuk ka asnjë shkak.
“Kërkesa për përjashtim nuk është automatike. Është KPA që kryen e bën këtë procedurë. Procedimi disiplinor fillon me kërkesën e kryetares së KPA kërkesë të cilën s’kemi asnjë informacion ka filluar apo jo. Në kërkesën për zonjën Papajorgjit s’ka asnjë pikë për të drejta procedurale si palë në proces për të cilin ai është ankuar. Por është një proces krejt tjetër ku ai s’ka fare lidhje edhe me këtë çështje ku ne jemi. S’ka asnjë shkelje. Kur gjykata merr leje afatet pezullohen. E vetmja pasojë është e drejta për shqyrtim për një afat të arsyeshëm. Nuk shohim të ketë asnjë ndikim në proces. Po të kishte gjykim tej afatit e vetmja e drejtë është që pala të kërkojë dëmshpërblim monetare, por s’jemi fare në këto kushte. I kërkoj gjykatës ta vlerësonte kërkesën paraprake për përjashtim gjyqtarësh dhe ta rrëzoj si të pabazuar në kushtetutë e ligj. Do shprehet për kërkesat e dorëheqjes dhe të përjashtimit”, tha Bushka.
Pretendimit të palës së Presidentit që kërkoi dorëheqjen për gjyqtarët Tusha dhe Papajorgji, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha i është përgjigjur se ende s’ka kërkesë zyrtare.
“Kërkesa që paraqitet para Gjykatës Kushtetuese ju dha mundësinë t’i rithoni disa nga faktet. Unë do ju kërkoj që të ishim më proceduralë. S’kam ende asnjë kërkesë nga gjyqtarët për të hequr dorë nga kjo çështje. Ju si përfaqësues të presidencës keni kërkesë për dorëheqje apo për përjashtim gjyqtarësh?”, tha ajo.
Pas pretendimeve dhe argumenteve të palëve, Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të marrë një vendim në lidhje me kërkesat paraprake të parashtruara sot nga përfaqësuesi ligjor i presidentit Ilir Meta.
Fraksion.com