AktualitetPolitikëTë fundit

Meta: Bashkëpunoj me çdo njeri që s’prek sovranitetin, integritetin dhe demokracinë

Presidenti i Republikës Ilir Meta tha se, Shqipërisë i duhen vota e lirë, e paprekshme dhe instalimi njëherë e përgjithmonë i ligjit të referendumeve që me Kushtetutë ne e kemi, por është bllokuar qëllimisht.

Në një intervistë televizive, Meta tha se, “vetëm dy gjëra i duhen Shqipërisë, vota e lirë dhe e paprekshme dhe kur themi këtë, kemi parasysh edhe Kushtetuta e paprekshme, vetëm nga populli! Dhe i duhet të instalojë një herë e përgjithmonë ligjin e referendumeve! Që me Kushtetutë ne e kemi, por është bllokuar qëllimisht. Në momentin që e bëjmë edhe këtë gjë, jemi një Zvicër me det”.

“E kam thënë prej kohësh dhe kur u krijua kriza e zgjedhjeve vendore para parlamentit një partiak, e kam thënë që këtë çështje e zgjidh vota, dhe hajdeni! Edhe pse unë kisha dy vite në detyrën e Presidentit dhe unë bie dakord, edhe Ilir Meta kandidon, edhe mazhoranca meqenëse ishte e pakënaqur nga unë, kishte mundësi. Të gjithë të votoheshin dhe të respektonin votën e popullit. Kjo ishte e vetmja rrugë. Nuk ka rrugë tjetër! Këtu është përmbysur sistemi në kuptimin se ai sistem që ne kemi në Kushtetutë, pasi parimet e kushtetuese, nuk kanë ndryshuar, janë po ato që votoi populli me referendumin e vitit 1998, ai sistem praktikisht nuk funksionon, sepse janë bërë ndryshime dhe ligje mbi Kushtetutën dhe nga një shtet realisht i së drejtës, për fat të keq, jemi shndërruar në një regjim. Dhe kjo në radhë të parë do të thoja falë kontributit të opozitës në vitet e fundit, e cila në vlerësimin tim ka bashkëpunuar shumë hapur me kreun e qeverisë që ky sistem të bjerë”, u shpreh Presidenti.

I pyetur në lidhje me largimin e të rinjve nga vendi, Meta tha se, unë kam folur prej kohësh për shpopullimin e Shqipërisë, sepse largime ka edhe nga vende të tjera”.

“E kam thënë dhe e përsëris: Ikën një nga Serbia për 1000 banorë; ikin 12 nga Shqipëria! Ikën 1 nga Bosnja, ikin 18 nga Shqipëria! Ikën 1 nga Kosova, ikin 4 nga Shqipëria! Pra, po ta shohim, këtu nuk kemi të bëjmë me një raport të arsyeshëm apo proporcional. Kush largohet? Largohen njerëzit, të cilët kërkojnë të drejtat e tyre, të cilët kërkojnë standarde, kërkojnë meritokraci, të cilët kanë vlera, të cilët nuk duan të jetojnë të presin zgjedhjet, kur janë, që t’u japin ndonjë thes me miell apo t’u japin ndonjë”, u shpreh ai.

Mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e tij si President, Meta tha se “zero shqetësim dhe vëmendje për çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Nuk dua të flas më! Është një çështje që për mua si Ilir Meta, nuk më intereson fare! Si President i Republikës dhe nesër si ish-president, pas 24 korrikut, më intereson! Sepse nuk ka të bëjë me personin, por ka të bëjë me Institucionin, dhe ka të bëjë me shtetin! Ne kemi kërkuar, që Gjykata të shprehej që në korrikun e vitit 2021, kur i mbaronte mandati Parlamentit të shkarkuar, sepse pasi u shkarkua vetë më 25 prill, u mblodh dhe u kujtua që duhet të më shkarkonte edhe mua! Gjykatës Kushtetuese i takonte, kjo është çështje e rëndësishme formalisht, pasi të gjithë e dimë se ajo ka të bëjë me nenin e “Agjitacion-Propagandës”, sepse unë kam dhënë intervistë te kolegu juaj Çim Peka, por nuk ka rëndësi, por formalisht, është një çështje e rëndësishme: Presidenti i Republikës quhet formalisht i shkarkuar nga Kuvendi. Atëherë Gjykata Kushtetuese duhet ta trajtojë këtë çështje, aq më tepër që kjo ishte një çështje e Kuvendit të kaluar, por edhe atij i takonte që ta merrte përsipër që ta çonte deri në fund dhe ta mbronte me prova, me fakte, me çfarë të donin ata! Kjo gjë nuk ndodhi dhe ne kemi këmbëngulur që kjo çështje të zgjidhej sa më shpejt, sepse do të ishte mirë për të gjithë që kjo çështje të merrte drejtim, ashtu siç e mendonte Gjykata Kushtetuese, nuk ka asnjë shqetësim”, deklaroi Meta.

I pyetur për sulmet e opozitës ndaj tij, Presidenti deklaroi se “nuk më shqetësojnë akuzat e Bashës. Problem do të ishte nëse kundër meje do të ishte lideri historik i PD, “magneti i kësaj toke”, Sali Berisha. Ku bashkohem dhe ndahem me Sali Berishën? Na bashkon interesi kombëtar dhe që çdo gjë e kemi arritur vetë në jetë dhe në politikë. Ndahemi për 28-29 Nëntorin. Në zhvillimet brenda PD, vlerësoj Berishën për primaret në zgjedhjen e kandidatëve”.

“Duhet të ndajmë dy gjëra, tjetër takimi, tjetër konsultimi dhe tjetër negociata. Ne jemi takuar, unë i kam kërkuar prej shumë kohësh, që në nëntor para zgjedhjeve, u bënë 14 muaj dhe ka pasur disa probleme familjare, dhe më në fund u takuam para dy tre ditësh. Unë me zotin Berisha takohem në çdo sekonde, nuk kam paragjykime në këtë detyrë, kjo karrige është në shërbim të të gjithë qytetarëve. Zotëria e ka derën e hapur 24-orë në shtëpinë time, por kjo nuk do të thotë që ndajmë të njëjtat qëllime. Po-ja është po, jo-ja është jo, kjo është një gjë tjetër që na bashkon, e kemi të dy këtë. Për të mirën e vendin bashkëpunoj me çdo njeri, i cili nuk pret integritetin, sovranitetin dhe demokracinë. Unë e kam thënë se ai është si vera, vjen dhe bëhet gjithmonë e më tërheqës dhe më demokrat. Se nuk ka qenë kaq demokratë në 96-87, ka reflektuar, tani bënë dhe primaret”, përfundoi Meta.

 

Fraksion.com