“Ç’punë kanë me shtëpitë tona ata të tërmetit?”; Fadromat e IMT nisin shembjen e banesave të tjera te ‘5 Maji’
Kjo martë i ka gjetur sërish duke protestuar banorët e lagjes ‘5 Maji’ në Tiranë. Fadromat e IMT kanë nisur punën për shembjen e banesave të tjera që prej orës 07:10, edhe pse aksioni ishte lajmëruar se do të fillonte në orën 10:00.
Të revoltuar, banorët kundërshtojnë prishjen e banesave, duke argumentuar se po bëhet jo sipas ligjit. Një prej banorëve thekson se banesën e saj e kishte të legalizuar, teksa ngre pyetjen ‘ç’punë kanë me shtëpinë time ata që u prekën nga tërmeti?’
“Këta janë kriminelë. Ma prishën shtëpinë për 1 minutë. As nuk kam firmosur, si ta prishin shtëpinë pa letër? Të më paraqisnin një letër që sot do prishet shtëpia. Pse kanë ardhur t gjithë këta? Njerëzit nuk kanë çfarë të hanë. Nuk kam hequr asnjë nga shtëpia. Të më japin përgjigje këta, të më strehojnë këta. Pse strehim është të më japin një shtëpi sociale. Ajo nuk është e imja, është e shtetit. Unë kam 600 metër tokë dhe këta thotë do të jap shtëpi sociale. Kam 40 vite këtu, i kisha me të gjitha lejet. Jemi 11 pjesëtarë në familje. Kam dy çuna të martuar, 3 fëmijë njëri e 3 fëmijë tjetri. Çfarë duan njerëzit që janë prekur na tërmeti në shtëpinë time?!”, thotë ajo.
Një tjetër banorë, të cilit sot po i prishet biznesi, thotë se i hodhën poshtë të gjithë pasurinë, pasi me anë të atij aktiviteti mbante familjen.
“Mua po më prishte godina, e kam godinë shërbimi dhe me atë ushqej familjen. Nuk kam asnjë akt marrëveshje, sot po ma prishin me dhunë. Na kanë sjellë vetëm një njoftim, jo vendim. E kisha në proces legalizimi. Kjo nuk është e drejtë, këta nuk duan t’ja dinë për asgjë. Po më shembin të gjithë pasurinë, ku do shkoj unë tani?”, thotë ai.
Banorëve i është bashkuar sërish edhe Liza Marku, e njohur si nënë Liza, e cila u shndërrua në simbolin e protestës së ‘5 Majit’.
Banorët protestuan edhe ditën e djeshme,duke u grumbulluar në shtëpitë e tyre të shembura dhe vijuan me një marshim, duke kulmuar me bllokimin e kryqëzimit pranë tregut të Medresesë, për 1 orë.
Shembja e këtyre banesave vjen si pasojë e projektit të rindërtimit, ku në total preken 430 ndërtesa. Banorët kanë protestuar që prej 19 janarit kundër shembjes, duke argumentuar se ka paqartësi për masën dhe periudhën e dëmshpërblimit.
Banorët kanë bërë rezistencë, pasi sipas tyre shembja e banesave është kundër ligjit dhe se nuk kanë bërë asnjë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës sa i përket bonusit të qirave dhe se nuk dinë se ku të shkojnë.
Fraksion.com