AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Rama: Bursa doktorature në Evropë për profesionistët e rinj në bujqësi

Kryeministri Edi Rama deklaroi të premten se “sot është ditë e bukur për Universitetin Bujqësor të Tiranës, pasi falë bashkëpunimit me qeverinë gjermane edhe kontributin e agjencisë gjermane të ndihmës sot hapet një proces doktoraturash i një cilësie të garantuar”.

I pranishëm në kuadër të prezantimit të programit të doktoraturave në bujqësi, mundësuar nga projekti “Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural”, një financim nga Qeveria Gjermane që zbatohet nga GIZ, në mjediset e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Kryeministri Rama  u ndal në bashkëpunimin shumë të ngushtë mes Qeverisë dhe Universitetit Bujqësor.

Kreu i qeverisë e konsideroi këtë bashkëpunim shumë të dobishëm në mbështetje të një sektori jetik, i cili tha Rama “është në një fazë delikate të jetës së vetë për shkak të domosdoshmërisë për sa më shumë dije dhe inovacion”.

“Sot është një ditë e veçantë për universitetin, sepse hapet një proces doktoraturash i një cilësie të garantuar. Do ju jepet mundësia 30 individëve me vlerë të spikatur në rrugën e tyre, që të zhvillojnë një doktoraturë e cila të ketë vulën e universiteteve më të mira të fushës, në Gjermani, apo vende të tjera të BE-së. Kjo është rruga jonë, ku duhet të ecim dhe ky është modeli që ne duhet të shtrijmë në të gjithë sistemin për doktoraturat”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama theksoi se “ne nuk duhet të japim doktoratura lokale. Ne nuk duhet të kemi, në të ardhmen tonë jo shumë të largët, universitete lokale. Ne duhet të kemi një sistem të lartë arsimor të ndërkombëtarizuar dhe një botë universitare të integruar në sistemin evropian”.

Gjithashtu, tha Rama, në kontekstin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, zgjerimi i partneriteteve me universitetet jashtë vendit janë në fokus të Qeverisë, si nisma të domosdoshme që synojnë, hapjen ndaj përvojave të reja evropiane e më gjerë.

“Më vjen shumë mirë që ndodh kjo në këtë universitet dhe që ky universitet bëhet një shembull që ne do të bëjmë çmos të rrezatojë në sistemin tonë arsimor,  sepse ky universitet është i rëndësishëm për këtë vend dhe të ardhmen e këtij vendi”, tha Rama.

Kryeministri Rama  u shpreh se “ka ndodhur një ndryshim në këtë universitet në krahasim me vizitën e parë që kam bërë këtu, pasi më parë duhet të gjeje derën e universitetit duke pyetur, sepse ishte një kaos, rrëmujë dhe turp i paparë. Pashë edhe godinën e re që po merr formë paralelisht edhe me godinat e tjera, që do të jetë një nga kampuset më të bukur të rajonit, jo të Shqiqëprisë dhe ku do ndërthuren e aktivitete të tjera, por mbetet një pjesë që ka të bëjë me kushtet fizike, ndërkohë që pjesa më e vështirë ishte pjesa që ka të bëjë me zhvillimin e mendimit akademik dhe rritjen e cilësisë  së mësimdhënies”.

“Më vjen shumë mirë që ne sot jemi në një fazë të avancuar që po strukturohet me një nga universitetet  më të vjetër e më të mirë të botës të zhvillimit rural me Universitetin e Vjenës me të cilin synimi ynë i përbashkët  me rektorin është që të ndërtojmë një marrëdhënie që hap pas hapi të kthehet në një sinergji të plotë. Universiteti Bujqësor i Tiranës të jetë një derë tjetër e Universitetit të Vjenës dhe të gjithë studentët që do të vijnë këtu të mbarojnë studimet me një diplomë të Universitetit të Vjenës”, tha Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se “sa i përket rritjes së interesit për t’u regjistruar kjo është rruga, ky është sektori i të ardhmes, teknologjia mund të bëjë gjithçka, por nuk prodhon dot ushqime, kompjuterat nuk prodhojnë dot bukë, perime, fruta mish etj”.

Përzgjedhja e 30 fituesve, pas hapjes së thirrjes në fund të janarit, do të bëhet nga një komision i posaçëm në bazë të kritereve të dakordësuara ndërmjet GIZ, Universitetit Bujqësor dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Startimi i programit do të bëhet në fillim të marsit dhe ka si qëllim përfshirjen e barabartë të grave dhe burrave nga të gjitha zonat e Shqipërisë, si një nga përparësitë e Qeverisë për përfshirjen e sa më shumë grave dhe vajzave në sektorin bujqësor.

Pas përfundimit me sukses, studiuesit e kanë të përcaktuar rikthimin dhe qëndrimin në Shqipëri, për të paktën 5 vjet, në mënyrë që përvoja e fituar të reflektohet sa më shumë në vendin tonë.

Ky program synon përfshirjen e sa më shumë të rinjve në sektorin bujqësor dhe rural, kualifikimin e mëtejshëm të studentëve ekselentë dhe profesionistëve të rinj, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universitetit, sektorit publik dhe privat në Shqipëri si dhe integrimin e njohurive teorike e praktike, me shembujt më të mirë të Bashkimit Evropian.

 

Fraksion.com