AktualitetBota+Të fundit

Pentagoni: Rusia ka tashmë aftësinë ushtarake për të vepruar kundër Ukrainës

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha të premten se presidenti rus Vladimir Putin ka tashmë aftësinë ushtarake për të vepruar kundër Ukrainës, ndërsa konsolidon forcat pranë kufijve të fqinjit të saj.

“Nuk besojmë se presidenti Putin ka marrë një vendim përfundimtar për t’i përdorur këto forca kundër Ukrainës, por tani është e qartë që ai e ka aftësinë ta bëjë një gjë të tillë”, u tha zoti Austin gazetarëve.

Ai tha se “alternativat përfshijnë marrjen në kontroll të qyteteve dhe territoreve të rëndësishme, por edhe metoda shantazhuese dhe veprime politike provokuese si njohja e territoreve separatiste.”

Kreu i Pentagonit foli ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë angazhuar në një diplomaci të brishtë mbi Ukrainën. Moska i ka kërkuar NATO-s të tërheqë trupat dhe armët nga Evropa Lindore dhe të mos lejojë Ukrainën të anëtarësohet në aleancë.

Uashingtoni dhe aleatët e NATO-s kanë thënë se kundërshtimi i tyre ndaj këtyre kërkesave është i panegociueshëm, por se janë të gatshëm të diskutojnë tema të tjera si kontrolli i armëve dhe disa çështje të tjera.

Zoti Austin u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara mbeten të përqendruara tek masat kundër disinformacionit rus, përfshirë çdo pretekst që mund të përdoret për të justifikuar sulme kundër Ukrainës.

Kryetari i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Mark Milley, tha se formacionet ruse pranë Ukrainës shkojnë përtej forcave tokësore, ajrore dhe detare dhe përfshijnë edhe luftën kibernetike dhe aftësitë logjistike.

Zoti Austin tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të ndihmojnë Ukrainën që të vetëmbrohet, përfshirë dërgimin e armatimeve shtesë.

 

Fraksion.com