AktualitetPolitikëTë fundit

Meta: Koha e ndeshjeve të shitura pa filluar do përfundojë

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi sot se, “do të përfundojë koha e ndeshjeve të shitura pa filluar”.

Në një konferencë për mediet, Meta theksoi se, “shoh një dëshirë të madhe për të më përfshirë në një garë, ose për të më paraqitur si të përfshirë në gara të mëparshme”.

“Unë nuk kam mundësi as të votoj në këto zgjedhje si qytetar sepse i takoj bashkisë së Tiranës. Do marrë fund koha e gallatave me financat me borxhet që merren në emër të Republikës së Shqipërisë, për të blerë profesionalizmin tuaj përmes presioneve që vijnë ndaj pronarëve. Sepse ajo gjuhë që përdoret për të rrëmbyer ishullin e vetëm që qenka jashtë kontrollit, ajo është gjuhë e përditshme që përdoret ndaj pronarëve të medies, ndaj biznesmenëve të ndershëm që duhet të shmangen me tregun në mënyrë që të kontrollojnë vetëm pak veta gjithçka në këtë vend. Prandaj dhe shumë biznesmenë seriozë largohen nga Shqipëria. vendas, po flas për seriozë që kemi kohë që nuk i shohim. Kështu do të përfundojë edhe koha e ndeshjeve të shitura pa filluar “, tha Meta.

“Unë as s’kam marrë pjesë në një garë gjatë kohës që kam qenë President. Kam qenë në garë për të mbrojtur Kushtetutën, sovranitetin, kufijtë e Shqipërisë. Edhe ata të Kosovës se kemi detyrë që t’i mbrojmë”, u shpreh Meta.

“Por meqenëse duan të më përfshijnë me pahir, po i paralajmëroj qetësisht. Se janë shqetësuar edhe se unë kam recituar disa poezi. Unë do të marr pjesë në garë në emër të popullit të 2 marsit dhe përtej popullit të 2 marsit, në kuptimin e mirë të fjalës”, tha Meta.

“Të bëhen gati, se pas ballafaqimit të parë, i cili do të jetë më e larta në një vit, që janë zgjedhjet e përgjithshme vendore, koalicionit Bravo-Brava, që ka 8 vite që qeveris Shqipërinë, edhe që e di teatër politikën dhe luftën kundër korrupsionit, natyrisht do t’i recitoj një poezi që e ka bërë vetë shefi i këtij koalicioni Bravo-Brava, atë Ina-Ina, po pas zgjedhjeve, pas garës së parë. Dakord. Meqë u mërzitën ata për këto poezitë për Skënderbeun dhe për Korçën”, theksoi Meta.

I pyetur nëse për zgjedhjet e 6 marsit ka të njëjtin paralajmërim si për ato të 25 prillit se do t’i presë duart kujtdo që vjedh vota, Meta u shpreh se, “ua thashë dhe po ua përsëris. Poezinë e shefit të koalicionit Bravo-Brava do ta dëgjojmë nga unë, por kurrsesi në këtë institucion. Këtu ka vetëm poezi për Skënderbeun, për Korçën, për Shkodrën, për Vlorën, por jo për Ina-Inën. Ina Inën, meqenëse e kanë merak shumë që do të bëjnë të fitojnë me Ilir Metën, Ina-Inën do ta dëgjojnë brenda një viti në rastin më të mirë. Po mund ta dëgjojnë dhe më shpejt. Prandaj ta kenë mendjen këtu tek borxhi më shumë dhe të kenë kujdes se nuk ka borxh që nuk paguhet”.

Niveli i borxhit publik, tepër shqetësues

Presidenti Meta deklaroi gjatë konferencë për shtyp se, niveli i borxhit publik është tepër shqetësues.

“Objektivi kryesor i politikës ekonomike duhet të jetë kthimi sa më parë i raportit të borxhit ndaj Produktit të Brendshëm Bruto në një rrugë rënëse. Përndryshe, niveli i borxhit në vitet në vazhdim do të mund të shkaktojë një krizë serioze duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e financave publike”, tha Meta.

“Edhe, Ligji i Buxhetit për vitin 2022 nuk bëri transparent nivelin real të borxhit të vitit 2021, si dhe një vlerësim të të gjitha risqeve potenciale të rritjes, dhe mbi këtë bazë marrjen e masave parandaluese për uljen e tij”, theksoi Meta.

Presidenti u shpreh se, “KLSH vlerëson se stoku i borxhit publik i raportuar për vitin 2020, që mbartet në vitin 2021, paraqitet i nënvlerësuar bazuar në respektimin e kërkesave ligjore për raportimin e detyrimeve të prapambetura”.

“Në llogaritjen e stokut të borxhit për vitin 2021 do të duhej të përfshiheshin të gjitha detyrimet e prapambetura të Qeverisë qendrore dhe lokale, rimbursimi i plotë i TVSH-së në rreth 24.2 miliard lekë, vendimet e gjykatave ndërkombëtare në rreth 405.2 milion euro, si dhe detyrimet e nën huasë në 62.5 milion euro. Vlera reale e borxhit publik në fund të vitit 2021 mund të llogaritet në më shume se 84.0% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Vlera totale e projekteve Partneritet Publik Privat në vitin 2022 do të arrijë në mbi 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, theksoi Meta.

“Projektet e Partneritetit Publik Privat i kanë lejuar Qeverisë të ndërmarrë investime të reja klienteliste pa ndonjë rritje të menjëhershme të shpenzimeve apo borxhit të raportuar të qeverisë, të paktën në afat të shkurtër”, shtoi Meta.

Por, shtoi Meta, “financimi i tyre jashtë bilancit publik rezulton në mungesë të transparencës lidhur me detyrimet e ardhshme”.

“Angazhimet financiare do të ndikojnë në qëndrueshmërinë e ardhshme të financave publike, duke shtuar rreziqet fiskale”, tha Meta.

“Nëse bëjmë krahasim me ekonomi të tjera të rajonit të cilat emetuan Eurobonde në vitin 2021, ekonomitë e vendeve të rajonit gëzuan një besim më të madh tek investuesit.Shqipëria doli në tregun ndërkombëtar dhe emetoi Eurobondin në vlerën 650 milionë euro me normë interesi afatgjatë 3.75 për qind, që është mbi dy herë më e lartë se vendet e rajonit”, u shpreh Meta.

“Republika e Maqedonisë së Veriut emetoi Eurobondin në vlerë prej 700 milionë euro me normë interesi 1,625%. Serbia doli në tregun ndërkombëtar të kapitalit me Eurobond prej  1 miliard euro dhe arriti normë interesi prej 1,65 për qind”, theksoi Meta.

Shqipëria ka nivelin më të lartë të borxhit publik për banorë pas Malit të Zi. Niveli i borxhit publik për banorë është rritur mbi 53 % në vitin 2021, në krahasim me vitin 2013.

Shërbimi i borxhit është rritur nga 4.16% e PBB në vitin 2013 në 6.11% e PBB në vitin 2020. Shpenzimet për pagesat e interesave të borxhit publik, janë rritur nga 2.1% të PBB në vitin 2019,  në 2.7% të  planifikuara për vitin 2022, në 2.9% e PBB në vitin 2023 dhe në 3.1% të PBB e parashikuar në vitin 2024.

Raporti i borxhit publik kundrejt të ardhurave totale i llogaritur për vitin 2020 është rreth 2.96 për Shqipërinë, 0.88 për Bosnjën, 0.94 për Kosovën, 1.43 për Serbinë, 1.79 për  Maqedoninë e Veriut, dhe 2.47 për Malin e Zi.

Raporti i borxhit publik kundrejt eksporteve të mallrave, i llogaritur për vitin 2020, është 12.8 për Shqipërinë, 1.1 për Maqedoninë e Veriut, 1.3 për Bosnjën, 1.7 për Serbinë”, u shpreh Meta.

“Në periudhën 2000-2005, për çdo 100 lekë të marrë borxh, prodhimi është zgjeruar në 193 lekë. Në periudhën 2005-2013, për çdo 100 lekë të marrë borxh prodhimi është zgjeruar në 128 lekë.  Në periudhën 2013-2021, për çdo 100 lekë të marrë borxh, prodhimi është zgjeruar në 84 lekë, në një nivel më të ulët se rritja e borxhit”, u shpreh Meta.

“Ulja e borxhit do të kërkonte rritje më të lartë ekonomike dhe sidomos të të ardhurave publike, që kërkon një luftë rigoroze kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit”, nënvizoi Meta.

“Do të kërkonte mos miratimin e PPP të reja me mbështetje buxhetore ose me ofertë të pa kërkuar, si dhe mos krijimin e detyrimeve të tjera të papaguara të institucioneve qendrore dhe vendore. Do të kërkonte gjithashtu përmirësimin e treguesve financiarë të ndërmarrjeve publike dhe në veçanti të sektorit energjetik, si dhe masa të tjera për të përmirësuar treguesit e performancës qeverisëse”, tha Meta.

 

Fraksion.com