AktualitetPolitikëTë fundit

Kryesia e PS-së miraton kandidatët për 5 bashki, të martën vendoset për Lushnjën

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së dhe njëherazi drejtuesi politik për qarkun e Fierit, Taulant Balla deklaroi sot pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, se vendimmarrja për kandidatë për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit i nënshtrohet paraprakisht proceseve konsultative në të gjashta bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet.

Ai sqaroi për mediet se të martën do të publikohet edhe emri i kandidatit për kryetar të bashkisë Lushnjë.

“Lidhur me interesin për kandidatin apo kandidaten që PS do të garojë për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë Lushnjë, gjej rastin të informoj publikun se kemi zhvilluar një proces shumë të thellë konsultimi jo vetëm me strukturën e PS, por kemi bërë kësaj radhe një proces konsultimi të gjerë, edhe për shkak të problematikave të identifikuara në mbarëvajtjen e punës së bashkisë Lushnjë, ku është përfshirë shoqëria civile, sipërmarrja e Lushnjës, fermerët, sepse kjo bashki përbëhet edhe nga qyteti Lushnjë dhe zonat rurale. Ky është një proces që ka vazhduar”, tha ai.

Balla theksoi se  “kam kërkuar që ditën e parë që procesit pas një liste më të reduktuar t’i shtohet edhe një anketim publik, besoj se të martën në mëngjes do të keni emrin për kandidatin”.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka konfirmuar dy kandidatët e PS për bashkitë e Vorës dhe Rrogozhinës. Në Rrogozhinë socialistët ia kanë besuar garën Edison Memollës, ndërsa në Vorë kandidat do të jetë Blerim Shera.

“Janë dy bashki të vogla. Vora ka qenë një bashki që ka qenë herë majtas herë djathtas. Duam që të thellojë rezultatin në favor të PS. Kemi disa kantiere në Vorë. Duam që të trajtohet si kërthiza e Shqipërisë. Kemi një pafundësi projektesh. Edhe Rrogozhina është bërë hapësirë atraktive”, tha Veliaj.

“Në Rrogozhinë do vazhdojmë me Edison Memollën. Rrogozhina nuk është pjesa e madhe, por edhe pjesa e Spillesë dhe qytetit. Ndaj edhe do të vazhdojmë të mbështesim Edisonin. Ishin dy bashki që janë rikthyer në drejtimin e PS”, vijoi ai.

“Kemi pasur një diskutim më të gjatë në rastin e Vorës. Të treja kanë tipologji të ndryshme. Kemi pasur katër pesë ndërrime drejtuesish. Do të jetë Blerim Shera. E sigurt që ajo do të bëjmë në këto zgjedhje është që do t’i botojmë listat para zgjedhjeve”, u shpreh Veliaj.

Drejtuesja politike e qarkut Shkodër, Edona Bilali konfirmoi se Kryesia e PS-së vendosi që Partia Socialiste në Shkodër të dalë me kandidaten Majlinda Angoni, e cila aktualisht mban pozicionin e prefektes së qarkut.

Drejtuesi politik i qarkut të Dibrës, Ulsi Manja, ka zbuluar se kandidat në këtë bashki do të jetë bankieri Rrahim Spahiu. “PS mori në analizë kandidaturat e dhëna nga unë. U konkludua që kandidati do të jetë Rrahim Spahiu. Është njeri me vizion, Dibra ka një shans e do të ketë në krye një person me integritet. jam i bindur që do të bëjmë punë të mirë”, tha drejtuesi i qarkut, Ulsi Manja.

 

Fraksion.com