AktualitetPolitikëTë fundit

“Ku është kryeministri?”; Basha: Rama shkoi në një vend me charter luksoz që do 120 mijë euro karburant

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama duke thënë nga foltorja e Kuvendit se para dy ditësh ka udhëtuar në një vend të BE-së me një charter luksoz, që sipas kryedemokratit, vetëm karburant do 120 mijë euro.

Me tone të ashpra, Basha tha se java që lamë pas ishte e mbushur me skandale, që sipas tij, në një vend normal do të rrëzonin qeverinë.

Duke u ndalur tek afera e inceneratorëve, që për kryedemokratin është afera e shekullit, Basha deklaroi se ndonëse dje janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dy pjesëtarë të kësaj afere, qeveria vazhdon të paguajë skenat e krimit.

“Dua ta nis me pyetje retorike, si ka mundësi që në seancën e javës, të ngarkuar me vendime të sjella nga vetë qeveria, në një javë të mbushur me skandale, që do të trondisin e do të rrëzonin qeverinë normale në vende normale, këtu nuk ndodhet as 1/3 e deputetëve? Ku është kryeministri? E dimë që para dy ditësh shkoi e erdhi me charter privat, duke harxhuar 120 apo 150 mijë euro karburant. Shkon e vjen me një charter luksoz, ku vetëm karburanti kushton minimumi 150 mijë euro. Dhe kur vjen puna për t’u përballur me shqiptarët, nuk e dimë ku është.

Me cilin vend të Evropës, mos të them të botës, në 2022, mungon transparenca minimale për shpenzimet marramendëse qeveritare të një populli që është në varfëri të thellë. Në cilin vend të botës kryeministri ka charter privat, shkon drejt kryeqyteteve luksoze të Evropës, ndërkohë që qeveria e tij pa asnjë mandat dhe në kundërshtim me ligjin shemb catitë e banorëve të kryeqytetit, sic ndodh te “5 Maji”, ku pjesa dërrmuese e banorëve janë në gjendje lufte, sikur i ka bombarduar një armik, një armiku i padukshëm, por i tmerrshëm, i korrupsionit qeveritar”, tha Basha.

 

Fraksion.com