Holokausti ndaj hebrejve dhe fatet e shqiptarëve në kampet e shfarosjes, në një ekspozitë
Në Tiranë, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me dy organizata kulturore, kanë hapur një ekspozitë të veçantë në javën e Holokaustit, kushtuar fateve të shqiptarëve gjatë persekutimit nazist dhe atij komunist.
Organizatorët po ftojnë qindra të rinj të kryeqytetit për të mësuar mbi ngjarjet tragjike të Luftës së Dytë Botërore në familjet shqiptare dhe ato hebreje, të cilat i mbijetuan nazizmit.
Ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar po vizitohet nga grupe të rinjsh të gjimnazeve, të cilët dalin prej saj me mbresa të forta, pasi dëgjojnë më shumë detaje mbi ngjarjet tragjike të kombit shqiptar.
Një pjesë pak e njohur është ndëshkimi i shqiptarëve njëlloj si hebrenjtë me trotura, kampe pune dhe krematoriume shfarosjeje.
Shqiptarët shpëtuan mbi 3 mijë e 500 hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që disa qindra shqiptarë u vranë nga nazistët në kampin famëkeq të Mathauzenit.
Nxënësit pohojnë se ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore janë katastrofale dhe mjaft të dhimbshme.
“kanë qenë kampe të tmerrshme, kështu si tregohen nga historianët. Atje njerëzit janë trajtuar në mënyrë kriminale e çnjerëzore. Kjo është një histori që nuk duhet të harrohet dhe duhet të kujtohet nga njerëzit për gjurmët e rënda që ka lënë dhe për rrezikun që të mos përsëritet më e njëjta problematikë” – thotë Trista, nxënëse e shkollës “Aleks Buda”.
Në vitet 1943-45 nazistët arrestuan në Shqipëri rreth 530 vetë kryesisht në Vlorë, Durrës e Tiranë dhe i nisën në burgjet e Prishtinës, Zemunit dhe Bajnicës në Jugosllavi dhe më as në kampet e përqëndrimit në Mathauzen.
Atje është një pllakë, ku shkruhet se këtu kanë hyrë 427 shqiptarë, nga të cilët mbijetuan vetëm 24 persona, të cilët pothuaj të gjithë u kthyen në atdhe.
Pjesa më e madhe e këtyre shqiptarëve të pakët që u kthyen nga kampet naziste, përsëri u persekutuan dhe u dënuan nga regjimi komunist.
Albin Pogoni, nxënës i gjimnazit “Ismail Qemali”, thotë se problemi më i madh i brezave të rinj është harresa dhe se shoqëria duhet të nxjerrë mësime nga gabimet e të shkruarës.
“Nga kjo ekspozitë del si mesazh për gjithë shoqërinë shqiptare dhe që gabimet e të shkuarës janë ato që na japin mësimet e të ardhmes. Nëse ne vazhdojmë me të njëjtat filozofi antihumnane dhe me të njëjtat qëndrime që mbajtëm në të shkuarën, atëherë nuk ka për të patur asnjëherë progres. Ne duam progresin dhe mund të ecim përpara vetëm nëse ndryshojmë dhe mësojmë nga gabimet e të shkuarës” – thotë Albini.
Këto ekspozita historike po vizitohen nga të rinjtë e gjimnazeve, ku ata po mësojnë se si
nazizmi dhe komunizmi janë dy ngjarje kulmore totalitare. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, thotë se këto zhvillime duhen studiuar vazhdimisht dhe me detaje, e nuk harruar kurrë dhe kujtesa botëtore i përkushtohet asaj errësire të arsyes njerëzore.
“Dy periudhat kryesore të totalitarizmit duhen përkujtuar dhe studiuar vazhdimisht për të mos mbërritur në atë që thotë Primo Levi dhe më herët Bertold Breht në dy vargjet e fundit të dramës Arturo Ui: Kurrë mos harroni, se barku që e lindi, ende nuk është shterpëzuar” – thotë zoti Koçi.
Drejtuesja e organizatës Destination Management, Albania, Eva Kushova, bashkautore e ekspozitës, krahas Remember.al, thotë se Holokausti i herbrejve nga nazistët ka ndodhur njëkohësisht me krimet dhe masakrat, që ata kanë kryer edhe kundër popujve të tjerë, pa kursyer as shqiptarët, që ishin mbrojtësit më të mëdhenj të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët u garantuan hebrenjve një mbrojtje të pashembullt, thotë ajo, duke sakrifikuar edhe jetët e tyre, pasi u dhanë Besën, ndaj diktaturat nuk duhet të përsëriten më.
“Mësimi që u japim brezave të rinj është që ditaturat nuk duhen përsëritur. Pse jo, të flasim edhe për diktaturën tonë, që ende e kemi tabu. Janë shumë të rinj, përfshi edhe vajzën time adoleshente 16 vjeçe, që unë i flas e i flas dhe ajo ende nuk e kupton se çfarë ka ndidhur në atë sistem, e jo më ta dënojë, e jo më ta mendojnë që të mos e lejojnë të ndodhë më. Gjithçka fillon me kufizim të drejtash dhe mund të përfundojë në diktaturë” – thotë zonja Kushova.
Ekspozita është pjesë e një projekti dyvjeçar të organizatës DMO, studiues të të cilës kanë vizituar shpesh kampet famëkeqe naziste të shfarrojes në Dakau, Mathausen dhe Aushvic, për të ndricuar pjesën shqiptare të asaj tragjedie dhe për të shkruar mbi pasojat e Holokaustit, për të cilin në Shqipëri zhvillohen vazhdimisht ngjarje përkujtimore./VOA
Fraksion.com