VOA: Gjermania, hallka e dobët e Aleancës Perëndimore
Diplomatë dhe analistë thonë Gjermania nuk duket se i sheh kërcënimet ushtarake ruse kundër Ukrainës me të njëjtën ndjesi urgjence si Shtetet e Bashkuara dhe disa nga aleatët e saj evropianë, të cilët kanë filluar ta shohin Berlinin si një hallkë të dobët të aleancës perëndimore.
Kancelari i ri i vendit, Olaf Scholz, është bërë pjesë e zërave kritikë perëndimorë që kanë paralajmëruar pasoja masive për Rusinë nëse Presidenti Vladimir Putin urdhëron një pushtim të Ukrainës, por Gjermania ka refuzuar kërkesat e Ukrainës për ndihmë ushtarake, gjë që ka shkaktuar zemërim në Kiev. Berlini ka bllokuar gjithashtu shtetet baltike, Letoninë, Estoninë dhe Lituaninë të furnizojnë Kievin me armë të prodhuara në gjermani.
Shqetësimi i Kievit, u thellua edhe më tej të shtunën kur kreu i forcave detare gjermane, zëvendës-admirali Kay-Achim Schönbach, e përshkroi frikën perëndimore për një pushtim rus si të pakuptimta dhe bëri thirrje që Vladimir Putini të trajtohet me respektin që ai kërkon dhe ndoshta që meriton, sikurse tha ai. Por ministria gjermane e mbrojtjes i dënoi komentet me shpejtësi dhe admirali dha dorëheqjen menjëherë.
Megjithatë kjo nuk ka arritur të shuajë zemërimin e Ukrainës. Kievi beson se komentet e admiralit pasqyrojnë mendimin e një pjese të të politikanëve me ndikim në Gjermani ndaj i ka bërë thirrje Berlinit të ndryshojë gjithë pozicionin e tij mbi konfliktin gjeopolitik.
“Sot më shumë se kurrë, vendosmëria dhe solidariteti i Ukrainës dhe partnerëve të saj janë të rëndësishëm për të frenuar synimet shkatërruese të Rusisë”, tha ministria e Jashtme e Ukrainës.
Zyrtarët ukrainas kanë vënë në dukje një sërë pozicionesh zhgënjyese që ka mbajtur Gjermania mes frikës në rritje të perëndimit se lufta po afron.
“Gjithçka po shkon drejt konfliktit të armatosur“, tha shefi i mbrojtjes së Estonisë, gjenerali Martin Herem. Ai dhe homologët e tij në Evropën Qendrore po vëzhgojnë nga afër për të parë nëse rezervistët rusë janë mobilizuar. Ata druhen se Presidenti Putin e ka riarmatosur Rusinë në dekadën e fundit për këtë moment dhe se ai aktualisht po pret që terreni të ngrijë nga moti i ftohtë, në mënyrë që forcat e blinduara ruse ta kenë më të lehtë të kalojnë nëpër Ukrainë.
Berlini ka mbetur i paqartë nëse do të jetë i përgatitur që në rast të shpërthimit të luftës të mbyllë gazsjellesin nënujor të sapopërfunduar ‘Nord Stream 2’, i cili do të transportojë gaz natyror nga Rusia në Gjermani.
Duke iu përgjigjur trysnisë në rritje të brendshme e ndërkombëtare, zoti Scholz tha javën e kaluar se Gjermania është e gatshme të diskutojë mbylljen e gazsjellësit nëse Rusia sulmon (Ukrainën), por ka nguruar të përkushtohet për diçka më shumë.
Qëndrimi i dyzuar i zotit Scholz, ka shqetësuar shumë anëtarë të NATO-s.
Berlini ka kundërshtuar propozime të tilla sikurse përjashtimi i Rusisë nga sistemi ndërkombëtar i pagesave ndërkufitare ‘SWIFT’ si pjesë e paketës së mundshme të sanksioneve nga Perëndimi, në rast pushtimi të Ukrainës. Javën e kaluar, zyrtarët gjermanë i thanë gazetës kryesore të biznesit të vendit se përjashtimi i Rusisë nga ‘SWIFT’, nuk ishte diçka që po merrej në konsideratë.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së e ka mohuar këtë gjë, duke thënë se “të gjitha opsionet janë në tavolinë”.
Shtetet baltike kanë shprehur gjithashtu zhgënjimin e tyre lidhur me hezitimin e Berlinit për t’i dhënë atyre dritën jeshile për të furnizuar Ukrainën me pajisje ushtarake të prodhimit gjerman. Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë Christine Lambrecht i tha gazetës ‘Welt am Sonntag’ të shtunën se dërgesat e armëve në Ukrainë “aktualisht nuk janë të dobishme”. Ukrainasit kanë lobuar furishëm në Berlin për të siguruar anije për të mbrojtur brigjet e tyre në Detin e Zi dhe Detin Azov.
Disa analistë thonë se zoti Scholz është në një pozicion të ndërlikuar për sa i përket politikës së brendshme të Gjermanisë dhe se shumë nga ato që interpretohen nga të huajt, si tërheqje në një drejtim ndryshe nga ai i aleatëve, duhet të shihen më shumë, si një paqartësi strategjike e qëllimtë, për të mbajtur të bashkuar qeverinë e tij të koalicionit trepartiak e cila është thellësisht e ndarë mbi marrëdhëniet me Rusinë.
Partia e vetë kancelarit, Social Demokratët (PSD), partneri kryesor i koalicionit, ka një krah të majtë të fuqishëm që mbron një qasje për lidhje më të ngushta me Moskën dhe udhëheqësi i saj në parlament, Rolf Mützenich, ka mbrojtur idenë e një “rendi të ri paqeje evropiane duke përfshirë Rusinë”.
Madje edhe të moderuarit e social demokratëve ngurrojnë të ndjekin një politikë të ashpër ndaj Rusisë. Ata favorizojnë zbutjen dhe dialogun. Ministri gjerman i Mbrojtjes Lambrecht dhe Sekretari i Përgjithshëm i Social Demokratëve, Kevin Kühnert, janë kundër mbylljes së gazsjellësit ‘Nord Stream 2’, duke thënë se kjo çështje duhet të trajtohej veçmas nga kriza gjeopolitike që po shpaloset.
Ata duan që gazsjellësi, i cili është në pritje të miratimit nga entet rregullatore, të nisë të funksionojë. Më shumë se 60 për qind e gjermanëve pajtohen me ta, sipas një sondazhi të publikuar javën e kaluar nga transmetuesi shtetëror ‘ARD’.
Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë të qendrës së djathtë duan që Gjermania të ndjekë një politikë shumë më të drejtpërdrejtë ndaj Rusisë. Por si për t’i komplikuar më tej gjërat, të Gjelbrit, origjina e të cilëve bazohet tek lëvizjet paqësore anti-bërthamore të viteve 1970 dhe 1980, janë ideologjikisht kundër eksportit të armëve në zonat e konfliktit.
“Që kur qeveria e re e koalicionit mori detyrën në dhjetor, ka mbretëruar konfuzioni se kush po vendos tashmë rreth politikës gjermane ndaj Rusisë, Kancelari i udhëhequr nga Social Demokratët apo Ministria e Jashtme e udhëhequr nga të Gjelbërit? Kjo përfshin natyrshëm rolin dhe rëndësinë e gazsjellësit ‘Nord Stream 2’, i cili ende pret miratimin nga entet rregullatore gjermanë dhe të BE-së që të nisë të operojë”, thotë Jana Puglierin, shefe e zyrës në Berlin të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, një organizatë kërkimore mbi çështje të politikave.
Kakofonia e zërave nuk paraqet një pamje të qartë mbi rolin e udhëheqësve gjermanë, shton ajo.
Sipas zonjës Puglierin ndarjet brenda koalicionit gjerman ka të ngjarë të përkeqësohen në javët e ardhshme me rritjen e frikës për pasojat në ekonomike të vendit si rezultat i çdo konfrontimi gjeopolitik në zhvillim. Gjermania eksporton makineri, automjete dhe pjesë të tyre në Rusi dhe prodhuesit e automjeteve me ndikim politik në jetën e vendit druhen rreth pasojave që mund të sjellë një përplasje e mundshme.
Vendosja e sanksioneve të reja të gjera dhe ndëshkuese perëndimore ndaj Rusisë ka të ngjarë të ketë pasoja të mëdha ekonomike për Gjermaninë, veçanërisht nëse Moska hakmerret duke pezulluar furnizimet me gaz natyror të këtij vendi.
Ashtu si vendet e tjera të Evropës Perëndimore, Gjermania po lufton me një krizë energjitike dhe rritje të çmimit të energjisë. Sipas Eurostat, zyrës statistikore të Bashkimit Evropian, Gjermania blen 50 deri në 75 për qind të furnizimeve të saj me gaz natyror nga Rusia.
Dhjetë anëtarë të tjerë të BE-së, përfshirë Bullgarinë, Çekinë, Estoninë, Letoninë dhe Hungarinë, sigurojnë gjithashtu më shumë se tre të katërtat e importeve të tyre të gazit natyror, nga Rusia.
Zyrtarët ukrainas dhe aleatët e Gjermanisë në NATO druhen se çdo lëkundje e një lojtari kaq të rëndësishëm saç është Gjermania, mund të vihet re nga presidenti rus, i cili ka qenë i aftë të shfrytëzojë ndarjet evropiane në të kaluarën, duke i ofruar si dëshmi se aleanca kundër tij nuk është aq e bashkuar sa Uashingtoni dhe Kievi do të dëshironin. Ata druhen se kjo mund ta shtyjë udhëheqësin rus të bëjë një lojë të madhe kumari ushtarak.
“Kjo është arsyeja pse vendimi i Berlinit të premten për të penguar Estoninë që t’i shesë Ukrainës armë të prodhuara në Gjermani, ishte një gabim“, thotë kryetari i komisionit të Punëve të Jashtme në parlamentin britanik Tom Tugendhat.
Fraksion.com