Rama: Garanci sovrane për fermerët, koha e subvencioneve pa kriter ka perënduar
ryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “është koha që të gjithë të vetëdijesohen se koha e bujqësisë së lëmoshës, e bujqësisë së mbijetesës, e bujqësisë së subvencioneve pa kriter dhe pa karar ka perënduar”.
Në aktivitetin që u mbajt në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për fondin e garancisë sovrane në dispozicion të fermerëve për të financuar kolateralin e kredive të bujqësisë, pjesë e paketës mbështetëse prej 4 miliardë lekësh, Rama tha se, “sot është me shumë rëndësi që jemi këtu së bashku dhe që nga drejtime të ndryshme, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga partnerët tanë jepet një mesazh domethënës për të gjithë sektorin e bujqësisë dhe të gjithë aktorët e angazhuar në zhvillimin rural, lidhur me mundësinë e re që është krijuar që prej vitit 2016”.
Rama u shpreh se me këtë ndërhyrje tjetër të qeverisë shqiptare për të garantuar kreditë e fermerëve, apo sipërmarrjes bujqësore, insistohet në mesazhin se, “është koha që çdo ditë ata që janë të angazhuar në prodhimin bujqësor të mendojnë me sytë nga e ardhmja dhe jo me mendjen tek e shkuara”.
“Është koha që të gjithë të vetëdijesohen se koha e bujqësisë së lëmoshës, e bujqësisë së mbijetesës, e bujqësisë së subvencioneve pa kriter dhe pa karar ka perënduar. Ashtu sikundër ka perënduar dhe koha e bujqësisë vetmitare. E atyre që mbeten thjesht dhe vetëm në kufijtë e ngastrës së tyre. Pasi është realisht e pamundur sado që të bëjë qeveria, shteti për ta, që të garantohet një e ardhme më e mirë, apo që e tashmja të ketë një pamje tjetër nga pamja e një mbijetese torturuese”, tha Rama.
Rama përsëriti mesazhin se, “që në sektorin e bujqësisë dhe në sektorin e të gjithë punëve të fshatit që lidhen me prodhimin bujqësor, blegtoral, me agro-biznesin, me agro-turizmin, është e domosdoshme që të shikohet e ardhmja me syrin e inovancionit, me syrin e sinergjive të reja, me syrin e sipërmarrjes, e cila beson tek investimi i kapitaleve dhe po ashtu patjetër beson dhe tek ndërveprimi me bankat”.
“Së bashku me BERZH ne alokuam 180 milionë euro për të ndihmuar sektorë jetikë si bujqësia dhe turizmi, duke lehtësuar financimin tyre. Dhe ky mekanizëm praktikisht hapi rrugën e një qasjeje në financa për sektorin e agrobiznesit nëpërmjet një linje kredie dhe mundësisë së ndarjes së riskut të portofolit për institucionet financiare dhe bankare”, theksoi Rama.
“Ajo që kemi sot para syve nuk është një arsye për të qenë plotësisht të kënaqur, por është një arsye për të qenë plotësisht të bindur se kjo është rruga”, shtoi Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se, “janë 6 mijë përfitues nga fondi i garancisë. Dhe janë 72 milionë euro të disbursuara nga ky fond. Mbetet ende në dispozicion një pjesë e konsiderueshme e fondit. Ashtu sikundër vihet në dispozicion nga qeveria shqiptare një fond tjetër garancie sovrane për të mundësuar vazhdimin në këtë rrugë dhe për të mundësuar rritjen e kreditimit të bujqësisë”.
Fraksion.com