Meta: Rama dhe Basha vranë katër protestues më 21 janar! Nëse shkarkohem, do e ankimoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për emisionin ‘Now’, hodhi akuza të forta duke thënë se kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, janë vrasësit e 4 protestuesve të ’21 janarit’ 11 vite më parë. Kreu i shtetit deklaroi se u informua paraprakisht 11 vite më parë që në protestë do të vriteshin njerëz.
“Në mëngjes më bie zilja te shtëpia ku rrija në Bllok. Vjen lajmi nga miqtë e mi të vjetër, nga jashtë. Më thotë vlerësoje këtë situatë se planifikohet se do të bëhen vrasje”, u shpreh Meta.
Ndër të tjera Meta u shpreh se pasi mori këtë telefonatë, njoftoi Berishën se Rama dhe Basha kanë planifikuar të vrasin njerëz në protestë.
“Shkova te Berisha dhe i thashë se duhet t’i kërkojmë prokurorisë ta ndjekim këtë çështje sepse ata kanë planifikuar të vrasin njerëz në protestë”, tha Meta.
Sa i përket shkarkimit të tij, Presidenti Meta theksoi se do të ankimojë vendimin nëse Gjykata Kushtetuese njeh shkarkimin nga Parlamenti. Kreu i shtetit theksoi se nuk do të shkojë në një gjykatë e cila nuk ka dhënë një përgjigje të drejtë sa i takon zgjedhjeve lokale të 30 qershorit dhe nuk i është përgjigjur Komisionit të Venecias.
Presidenti tha se nuk do të jetë i pranishëm gjatë shqyrtimit të çështjes së shkarkimit të tij por shtoi se do të dërgojë përfaqësues ligjor dhe nuk do ta bojkotojë seancën.
“Gjykata Kushtetuese mund të shprehet dhe tani për shkarkimin e Presidentit, thjesht për dhënien e një interviste tek një gazetar dhe një televizion privat që nuk mbështet qeverinë. Unë nuk shkoj në një Gjykatë e cila nuk ka dhënë një përgjigje të drejtë për sa i takon zgjedhjeve bashkiake dhe nuk i është përgjigjur Komisionit të Venecias për këtë çështje thelbësore.”-tha Meta.
Më 9 qershor 2021, Kuvendi i Shqipërisë, deputetët kanë votuar në favor të shkarkimit të presidentit, Ilir Meta me 104 vota, duke thënë se ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës.
Deputetët e Partisë Socialiste në pushtet ngritën këtë Komision Hetimor parlamentar, i cili gjeti 17 shkelje të Kushtetutës nga ana e presidentit.
Gjykata Kushtetuese bën me dije se është caktuar data 1 shkurt për zhvillimin e kësaj seance dhe se shkak për shtyrjen është bërë infektimi me COVID i relatorit të çështjes, Përparim Kalos.
Fraksion.com