Meta: Nuk do të paraqitem në Gjykatën Kushtetuese për seancën e shkarkimit
Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se nuk do të paraqitet në seancën për shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, më 1 shkurt.
Në një intervistë televizive, Meta tha se “nuk shkoj në një Gjykatë e cila nuk ka dhënë një përgjigje të drejtë për sa i takon zgjedhjeve bashkiake dhe nuk i është përgjigjur Komisionit të Venecias për këtë çështje thelbësore”.
“Gjykata Kushtetuese mund të shprehet dhe tani për shkarkimin e Presidentit, thjesht për dhënien e një interviste tek një gazetar dhe një televizion privat që nuk mbështet qeverinë”, tha Meta.
Presidenti Meta u shpreh se problemi i shqiptarëve nuk është shkarkimi apo jo i tij, por zgjedhjet lokale.
Më tej, Meta tha se “jam me të vërtetën, votën e lirë, të drejtën dhe me opozitën që mbështet të drejtën kushtetuese. Kush do të shkojë në qeveri le të shkojë, por ama ata që do rrinë në opozitë të rrinë në vendin që i takon dhe të mos bashkohen me pozitën”.
“Kryetari i bashkisë, e ka treguar që ka nën kontroll SPAK-un dhe Prokurorinë, sepse ai e tregoi dhe dje që kontrollet në Federatën e Futbollit ishin të “rastësishme”. Siç ndodhi dhe me prishjen e Teatrit Kombëtar në momentin që çështja ishte në gjykatë. Ai është ndërtuesi i kullave në Tiranë dhe ai vetë e thotë që nuk mund ta ndalojë më askush”, theksoi Meta.
Fraksion.com