AktualitetKosovaTë fundit

Kosova në shërbim të SHBA-së për Ukrainën

Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shprehin mbështetje për Ukrainën, në kohën kur tensionet ndërmjet këtij shteti dhe Rusisë kanë arritur kulmin.

Vendet perëndimore paralajmërojnë se situata mund të përshkallëzohet shpejt në një sulm të Rusisë kundër Ukrainës, edhe pse Moska e mohon një gjë të tillë.

Shteti rus ka javë që ka pozicionuar trupa në kufi me fqinjin e tij, si dhe në gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin e ka aneksuar në vitin 2014.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës shpreh gatishmërinë që komponentët e caktuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i vendosë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rast se kjo i kërkohet për ndonjë mision.

Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Sefer Isufi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Forca e Sigurisë e Kosovës, gjithçka që ka arritur deri më tash – në secilin dimension të zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të saj operative – e ka arritur falë “mbështetjes së pazëvendësueshme” të SHBA-së.

“Duke pasur parasysh që aleanca jonë me SHBA-në është e natyrshme dhe shumë e fuqishme, jemi plotësisht të gatshëm që të jemi përkrah SHBA-së dhe forcave të saj në secilin mision, ku ata vlerësojnë se mund t’i angazhojnë komponentët tonë profesionalë ushtarakë”, thotë Isufi.

“Ajo [SHBA-ja] e di më së miri se cilët komponentë të FSK-së mund t’i angazhojë në task-forcën e saj, apo t’i integrojë në kuadër të forcave të NATO-s, në operacionet eventuale në mbrojtje të vlerave euro-atlantike – gjë që është edhe vizion dhe aspiratë e Kosovës”, shton Isufi.

Vitin e kaluar, Forca e Sigurisë e Kosovës ka qenë për herë të parë pjesë e misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kuvajt, së bashku me trupat amerikane.

Presidenca: Kosova qëndron përkrah Ukrainës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e Kosovës për Ukrainën përmes një shkrimi në Twitter, më 22 janar.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Zyra e Presidentes së Kosovës konfirmon se “Republika e Kosovës qëndron përkrah Ukrainës, duke e mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, pas agresionit të Rusisë të vitit 2014 dhe grumbullimit të forcave ushtarake ruse në afërsi të kufirit të saj me Rusinë”.

Në përgjigjen e Zyrës së Presidentes së Kosovës thuhet se lëvizjet e fundit ushtarake të Rusisë janë kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për gjithë kontinentin evropian dhe se çdo shkelje e sovranitetit të Ukrainës “paraqet sulm të drejtpërdrejtë ndaj një shteti të pavarur, sulm ndaj demokracisë në kontinentin tonë dhe vazhdimësi të fushatës agresive të Rusisë”.

“Ne nuk jemi të vetëm në mbështetje të Ukrainës, por përkrah aleatëve tanë, SHBA-së dhe NATO-s, si dhe me shtetet, të cilat dëshirojnë avancimin e vlerave demokratike në kontinentin tonë dhe në mbarë botën”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përkrahin Ukrainën, Serbia hesht

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë përmes një postimi në Facebook më 24 janar, se i bashkohet shqetësimit të partnerëve të NATO-s për rritjen e numrit të trupave dhe mjeteve ushtarake ruse në kufijtë me Ukrainën, duke theksuar se “kërcënimi dhe eventualisht agresioni ushtarak ndaj Ukrainës përbëjnë kërcënim direkt ndaj sigurisë evropiane dhe shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare”.

“Shqipëria mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe apelon për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe mjeteve diplomatike”, ka shkruar Meta në Facebook.

 

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, ka thënë se ky vend mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Ajo ka thënë se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, do t’i ndjekë vendimet e aleancës, duke mos përjashtuar përfshirjen në konflikt.

“Është e mundur që Ushtria e Maqedonisë së Veriut të përfshihet në një konflikt të mundshëm ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, por vetëm nëse këtë e kërkon NATO-ja”, ka thënë Petrovska për televizionin maqedonas, Telma, duke theksuar se një veprim i tillë do të ishte i mundur vetëm me pëlqimin e komandantit suprem, përkatësisht presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski.

Ambasada e Rusisë në Shkup ka reaguar ndaj deklaratës së ministres Petrovska, duke e cilësuar atë si “befasuese”.

“Ne u kushtojmë vëmendje deklaratave absolutisht të qarta të udhëheqjes ruse. Rusia kurrë nuk e ka kërcënuar popullin ukrainas askund dhe nuk ka ndërmend të ndërmarrë ndonjë veprim agresiv. Me fjalë të tjera, ne nuk do të sulmojmë, pushtojmë apo godasim Ukrainën. Sa u përket trupave ruse, ato lëvizin nëpër territorin e tyre dhe kanë çdo të drejtë ta bëjnë këtë”, thuhet në reagim.

Presidenti i Kroacisë dhe komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të këtij vendi, Zoran Millanoviq, ka njoftuar se do ta tërheqë ushtrinë kroate, nëse situata në Ukrainë përshkallëzohet. Ushtria kroate ndodhet aktualisht në kufirin rus, me një operacion të NATO-s.

Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, deri më tash, nuk kanë reaguar për tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës.

Mali i Zi, ashtu sikurse Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut, është anëtar i NATO-s.

Rashiti: Konflikti që do të ndryshojë arkitekturën e sigurisë në Evropë

Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika, me bazë në Prishtinë, thotë se përplasjet Rusi-Ukrainë do të ishin konflikti më i madh që pas Luftës së Dytë Botërore, pas krizës së Kubës dhe pas rënies së Murit të Berlinit.

Në fakt, shton ai, ky është konflikti më i madh dhe më i hapur ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë. Rreshtimin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përkrah Ukrainës, ai e sheh si veprim të drejtë.

“Një konflikt i tillë do ta ndryshojë tërë dinamikën gjeopolitike globale. Me theks të veçantë, do të ndryshojë arkitekturën e sigurisë së Evropës dhe të Bashkimit Evropian. Prandaj, është shumë e drejtë që të rreshtohen drejt mbështetjes së vendeve sovrane, pengimit të pushtimit dhe okupimit me dhunë, fushatave kundër tyre, si dhe në mbështetje të një plani – tashmë shumëvjeçar transatlantik – për të ruajtur sigurinë e Evropës”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se situata e tanishme shpërfaq edhe dobësinë e Evropës, e cila, sipas tij, nuk po tregohet e gatshme që të ndërtojë arkitekturë të sigurisë për vetveten dhe SHBA-ja mbetet garantuesi kryesor, jo vetëm i Kosovës dhe shumë vendeve përreth, por i tërë Evropës.

Popov: Perëndimi ia ka tërhequr vërejtjen Serbisë

Aleksandar Popov, nga Qendra për Rajonin, me seli në Serbi, kujton se ky vend nuk është pozicionuar në këtë krizë, por beson se Perëndimi, siç thotë, ia ka bërë me dije presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të jetë i kujdesshëm në këtë situatë.

“Po shohim që Serbia dhe, para së gjithash, presidenti i saj tash janë mjaft të përmbajtur. Madje edhe tash, kur situata në Malin e Zi është destabilizuar, nga Beogradi nuk ka asnjë komentim, në mënyrë që të shmangen indikacionet që Serbia po përzihet atje. Mendoj se tërheqja e vërejtjes ka arritur më herët nga Perëndimi, që të paktën në këtë pikëpamje Serbia të mos i ndihmojë Rusisë dhe të rrijë larg nga të gjitha këto zhvillime”, thotë Popov.

Efektet në Ballkanin Perëndimor

Tensionet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës mund të pasohen me dy skenarë, të cilët do të reflektohen edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vlerëson Naim Rashiti, nga Grupi i Ballkanit për Politika.

Ai thotë se skenari i parë dhe më i butë që mund të pasojë, parasheh që Rusia të krijojë dhe mirëmbajë një regjim pro-rus në Ukrainë, i cili do ta pengonte shtrirjen e politikave të Perëndimit.

Në të njëjtën mënyrë, sipas tij, Rusia do të provojë t’i mirëmbajë edhe elementet pro-ruse, që janë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë skenar, siç shpreh mendimin Rashiti, nuk do të ketë reagim të Perëndimit ndaj situatës së zhvilluar në Ukrainë dhe kjo do ta trimërojë Moskën që të vazhdojë dhe t’i përforcojë skenarët e ngjashëm në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Serbi, në Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi, por edhe në Maqedoninë e Veriut.

Skenari i dytë dhe më i vështirë, shton ai, është pushtimi dhe okupimi rus i Ukrainës.

Në këtë skenar, vlerëson Rashiti, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja pritet të shfaqin dilemën se a do ta ruajnë Ballkanin Perëndimor nga ndikimi rus, a do ta shkëpusin atë nga ky ndikim apo do të ruajnë status quo-në.

Siç thotë Rashiti, në rast se Rusia do t’i qaset pushtimit të Ukrainës, atëherë Ballkani Perëndimor nuk do të mund t’i shmanget efektit eventual të këtij zhvillimi.

“Satelitët e saj [Rusisë], të cilët tashmë janë konsoliduar në Serbi, në Mal të Zi, në Bosnje, por edhe në Maqedoni [të Veriut] do të provojnë të krijojnë situata të mjaftueshme krizash, për t’i hapur edhe një herë çështjet e kufijve në Ballkanin Perëndimor. Por, në këtë situatë, unë jam i bindur se nëse do të ketë ndonjë reagim apo një shpërthim të tensioneve, Perëndimi – në pamundësi për të bërë diçka shumë të madhe për Ukrainën – së paku do të provojë maksimalisht që t’i parandalojë konfliktet në Ballkanin Perëndimor ose të ruajë status quo-në”, thotë Rashiti.

“Përzierja e gishtërinjve rusë”

Aleksandar Popov, nga Qendra për Rajonin, thotë se reflektimi në Ballkanin Perëndimor i tensioneve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës ka kohë që ka filluar.

Sipas tij, kjo më së miri shihet në situatat e krijuara në Bosnje e Hercegovinë, ku anëtari serb i presidencës së këtij shteti, Millorad Dodik, ka shtuar aktivitetet për destabilizimin e këtij vendi.

“Muajin e kaluar, këto veprime faktikisht kanë arritur nivelin më të lartë, kur Bosnje e Hercegovina është vënë në pikëpyetje dhe është sjellë në prag të shpërbërjes. Unë mendoj se këtu janë përzier edhe gishtërinjtë rusë, sepse dëshirojnë të shpërqendrojnë vëmendjen e Perëndimit, të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shumë fronte”.

“Ndërkaq, Serbia është përmbajtur nga reagimet për t’u deklaruar lidhur me kërcënimet e Rusisë për pushtimin e Ukrainës, duke respektuar kinse neutralitetin ushtarak. Njëkohësisht ka shikuar që të mos e fajësojë shumë Rusinë, por në këtë pikë ekziston kundërshtimi më i madh i BE-së, se ajo [Serbia] nuk përcjell politikën e jashtme të BE-së”, thotë Popov.

“Unanimitet” kundër kërcënimeve ruse

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka zhvilluar të hënën një video-konferencëme aleatët evropianë për krizën në Ukrainë, pas së cilës ka thënë se në mesin e tyre ekziston “unanimitet i plotë”.

Mbretëria e Bashkuar e ka paralajmëruar Rusinë për sanksione “të shpejta” dhe “të pashembullta” nëse ndodh inkursioni rus në Ukrainë. Kësaj deklarate i janë bashkuar Shtetet e Bashkuara, Franca Gjermania, Italia, Polonia dhe vende të tjera.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë pajtuar në një takim të hënën se “çdo agresion i mëtejshëm ushtarak nga Rusia kundër Ukrainës, do të ketë pasoja masive dhe kosto të rëndë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të tyre.

Pentagoni ka njoftuar tashmë se rreth 8,500 trupa amerikane janë në gatishmëri të lartë për dislokim.

Por, kjo do të ndodhë vetëm nëse aleanca ushtarake e NATO-s vendos të aktivizojë forcën e reagimit të shpejtë, “ose nëse zhvillohen situata të tjera” në lidhje me grumbullimin e trupave ruse, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

SHBA-ja nuk ka plane për t’u vendosur në Ukrainë, ka theksuar ai.

NATO dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë duke përgatitur një dokument për të adresuar shqetësimet e Rusisë për sigurinë në Evropë.

Edhe pse mohon synimet për pushtim, Moska e akuzon Kievin se po përgatit sulme në zonat që kontrollojnë separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës dhe thotë se vendet e NATO-s po e “pompojnë” Ukrainën me armë.

Rusia po ashtu kërkon që NATO-ja të mos e pranojë kurrë Ukrainën në radhët e saj dhe të tërheqë një pjesë të konsiderueshme të forcave nga Evropa Lindore./REL

 

Fraksion.com