Vendimi i Kushtetueses për 30 qershorin; Meta – Bashës dhe Bardhit: Mjaft me gënjeshtra!
Presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale për zgjedhjet e 6 marsit duke thënë se Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi kanë gënjyer në emër të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimmarrjen e këtyre të fundit për votimet e 30 qershorit 2019.
Meta thotë se duhet të marrin fund gënjeshtrat ndërsa i referohet fjalës së Bardhit, i cili sipas tij gënjen kur me vetëdije të plotë dhe në mënyrë të përsëritur deklaron se Gjykata Kushtetuese ka thënë se, “subjekti që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të ishte shoqata e bashkive, por presidenti i republikës, duke dhënë kështu mundësinë presidentit qe ta inicionte procesin në këtë gjykatë”.
Në reagimin e tij në Facebook, Meta shton se “mjaftojmë ti citojmë zotit Bardhi, tre paragrafë (26, 61, dhe 73) të vet Gjykatës Kushtetuese, që t’ia shplajmë gënjeshtrat e qëllimshme”.
Reagimi i plotë
“STOP GËNJESHTRAVE të deputetëve Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi për vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese për votimet e 30 qershorit 2019!
ÇMONTIMI I GËNJESHTRËS SË PARË!
Ditën e djeshme jemi njohur me disa gënjeshtra të përsëritura të deputetit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi të mbajtura në një emision televiziv, lidhur me zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022, por që kanë lidhje edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019.
Zoti Bardhi në këtë intervistë ditën e djeshme deklaron se:
“…. Kjo gjykatë nuk i ka legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk ka thënë se këto zgjedhje ishin kushtetuese apo të ligjshme. Ka thënë se subjekti që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të ishte shoqata e bashkive, por presidenti i republikës, duke dhënë kështu mundësinë presidentit që ta inicionte procesin në këtë gjykatë. Pra, gjykata nuk i ka hyrë thelbit të çështjes.”
Deputeti Bardhi nuk gënjen kur deklaron se:
– Kjo gjykatë nuk i ka legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit; Nuk ka thënë se këto zgjedhje ishin kushtetuese apo të ligjshme; gjykata nuk i ka hyrë thelbit të çështjes. Këtu ai nuk gënjen.
Por deputeti Bardhi, GËNJEN kur me vetëdije të plotë dhe në mënyrë të përsëritur deklaron se Gjykata Kushtetuese na paska thënë se, “subjekti që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të ishte shoqata e bashkive, por presidenti i republikës, duke dhënë kështu mundësinë presidentit qe ta inicionte procesin në këtë gjykatë”.
E ftojmë zotin Bardhi, që të na e lexojë se në cilin paragraf Gjykata Kushtetuese e paska shkruajtur saktësisht atë që ai deklaron se gjoja po të ishte paraqitur kërkesë nga Presidenti, Gjykata do t’i shpallte antikushtetuese zgjedhjet e 30 qershorit?!.
Mjaft me GËNJESHTRA!
Deklarimet e zotit Bardhi janë të tejmbushura me gënjeshtra.
Nga njera anë shihet taktika e përsëritur 5-vjecare për t’i ikur përgjegjësisë që ka lidershipi i Partisë Demokratike për situatën e braktisjes së zgjedhjeve për pushtetin vendor 2019, dhe nga ana tjetër deputeti Bardhi merr përsipër të gënjejë kësaj radhe edhe në emër të Gjykatës Kushtetuese.
Mjaftojmë ti citojmë zotit Bardhi, tre paragrafë (26, 61, dhe 73) të vet Gjykatës Kushtetuese, që t’ia shplajmë gënjështrat e qëllimshme:
Paragrafi 26.
“Gjykata, referuar objektit të kërkesës në shqyrtim, vëren se kërkuesja (pra shoqata e Bashkive të Shqipërisë) ka ngritur dy kërkime:
i pari lidhet me konstatimin si antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të zhvilluar në datën 30.06.2019, për rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve;
i dyti ka të bëjë me verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë “Bindja Demokratike” në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë për këto zgjedhje vendore.
Paragrafi 73.
“Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se në lidhje me kërkimin e parë të kërkesës në shqyrtim çështja nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues, kurse në lidhje me kërkimin e dytë kërkuesja (pra shoqata e Bashkive) nuk legjitimohet për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetue“
Paragrafi 61.
“Për sa më lart, kërkimi për konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në datën 30.06.2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, mbetet jashtë juridiksionit kushtetues, ndaj Gjykata nuk mund të investohet në lidhje me këtë çështje.
Gjykata Kushtetuese e shpalli veten jokompetente për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e proceseve zgjedhore në tërësinë e tyre.
Për qartësinë e të gjithëve, sipas vet Gjykatës Kushtetuese pavarësisht se kush subjekt mund të paraqiste një kërkesë për antikushtetutshmërinë e procesit të votimeve të 30 qershorit 2019, ajo sërish do ta shpallte vehten si jo kompetente për mungesë të juridiksionit kushtetues.
Kjo gjithmonë sipas asaj që thotë vet Gjykata!!!
I rikujtojmë deputetëve Basha – Bardhi, që Presidenti i Republikës nuk është as subjekt zgjedhor, as përfaqësues i ndonjë partie garuese në zgjedhje, dhe as hyn në llojin e atyre institucioneve që kanë për detyrë që sa herë ka garë elektorale të ndjekë nëpër gjykata Partitë Politike, apo të mbrojë interesat e ndonjë force politike të caktuar.
Kjo është detyrë e vet forcave politike që pretendojnë se ekzistojnë për të shëndoshur dhe ruajtur demokracinë, dhe që duhet të bëjnë gjithçka për realizimin e një procesi zgjedhor kushtetues, për të ruajtur të pacenuar të drejtat themelore të qytetarëve që ata pretendojnë se përfaqësojnë, ku më themelorja të drejtën për të zgjedhur përmes një procesi votimesh të lirë, të fshehtë, të ndershëm dhe ndërmjet alternativave.
Pra kjo ka qenë, është dhe duhet të jetë detyrë primare dhe e Partisë Demokratike si forca kryesore opozitare në vend.
Presidenti i Republikës, ka për detyrë të ushtrojë kompetencat dhe rolin që i jep kushtetuta, ku ndër detyrat kryesore të tij si përfaqësues i unitetit të popullit është të mbikëqyrë funksionimin normal të mekanizmave kushtetues, duke ndërhyrë për eliminimin e mangësive në këtë drejtim.
Për këtë Presidenti nxjerr dekrete, që në rastin e zgjedhjeve vendore 2019, askush nuk guxoi t’ia sfidonte këto dekrete përpara ndonjë Gjykate, as përpara Gjykatës Kushtetuese.
Në mungesë të një vendimi të themeltë nga Gjykata Kushtetuese, dhe pas shpalljes së vetes si jo kompetente prej saj, Presidenti i Republikës i bindet vetëm Kushtetutës së Shqipërisë dhe interesit të qytetarëve shqiptar në ato 6 Bashki që sot janë pa kryetar”, shkruan Meta.
Fraksion.com