Udhëheqësit e Ukrainës përpiqen të qetësojnë vendin
Udhëheqësit e Ukrainës po përpiqen të qetësojnë vendin nga rreziku i një sulmi ushtarak nga Rusia. Rusia mohon se ka në plan të sulmojë Ukrainën, ndonëse ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa në kufijtë e saj.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha mbrëmë se gjendja është nën kontroll dhe se nuk ka arësye për panik.
Ministri i Mbrojtjes Oleksi Reznikov, tha se deri të hënën, forcat ushtarake ruse nuk ishin vendosur në “formacione luftarake, që të lë të kuptosh se sulmi nuk mund të fillojë brenda 24 orësh”, siç u shpreh ai.
Ka skenarë të rrezikshëm, që mund të realizohen në të ardhmen, tha ai, gjatë një interviste mbrëmë për një telvizion ukrainas, “por deri tani, shtoi ministri i mbrojtes, ky kërcënim nuk duket i tillë”.
Një zyrtar tjetër i lartë i sigurisë në Ukrainë tha se “lëvizjet e trupave ruse në kufi nuk janë gjë e re dhe shtoi se ende nuk kemi parë ato lloj lëvizjesh, që tregojnë për një sulm frontal”.
Ukraina ndërkohë vazhdon të marrë ndihma ushtarake nga Shtetet e Bashkuara. Në kuadër të ndihmave të tilla prej 200 milionë dollarësh, sot pritet të mbërrijë një dërgesë tjetër me pajisje dhe municione.
Fraksion.com