AktualitetBota+Të fundit

Shtëpia e Bardhë përgatitet për veprimet e mundshme të Rusisë në Ukrainë

Uashingtoni ka vënë në gatishmëri 8,500 trupa ushtarake për dislokim të mundshëm në Evropë dhe do të evakuojë disa anëtarë të personelit të ambasadës nga Ukraina, ndërsa tensionet mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s rriten lidhur me mobilizimin e vazhdueshëm të trupave nga presidenti rus Vladimir Putin pranë kufirit ukrainas. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Anita Powell njofton nga Uashingtoni.

Tensionet po shtohen përgjatë kufirit të acartë të Ukrainës ndërsa Rusia vendos më shumë trupa në pozicione luftarake.

Të hënën, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi dërgimin e automjeteve ushtarake në kufirin jugor të Bjellorusisë për stërvitje të përbashkëta muajin e ardhshëm, vetëm 75 kilometra larg kryeqytetit të Ukrainës.

Administrata Biden është e gatshme të përgjigjet së bashku me partnerët e saj të NATO-s, thotë sekretarja e shtypit Jen Psaki.

“Ne nuk mund t’i lexojmë mendjen Presidentit Putin, por po shohim përgatitjet që Rusia po bën në kufi. Kemi qenë shumë të qartë dhe presidenti ka qenë i drejtpërdrejtë se veprimet ushtarake nga Rusia mund të ndodhin në çdo moment, në çdo kohë. Këtë e tha edhe javën e kaluar. Kemi qenë në biseda dhe diskutime me vendet e krahut lindor”, tha sekretarja e shtypit Jen Psaki.

Reagimet amerikane përfshijnë vënien në gadishmëri të 8,500 trupave amerikane për dislokim të mundshëm në vende të tjera të NATO-s dhe evakuimin e një pjese të stafit të ambasadës amerikane në Kiev.

Presidenti Joe Biden nuk ka folur për këtë çështje prej disa ditësh, duke mos iu përgjigjur pyetjeve për këtë temë të hënën.

Po dje, ai pati një telefonatë me udhëheqësit më të lartë evropianë, BE-së dhe NATO-s, në të cilën palët theksuan dëshirën e tyre për një zgjidhje diplomatike dhe diskutuan “përgatitjet e tyre për të imponuar pasoja të mëdha dhe kosto të rënda ekonomike për Rusinë për veprime të tilla si dhe për të përforcuar sigurinë në krahun lindor të NATO-s”.

Ndërkohë, forcat ukrainase po përgatiten për një pushtim duke vënë në pikëpyetje procesin diplomatik mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

“Është gabim kur dy vende (Rusia dhe SHBA) diskutojnë të ardhmen e një vendi tjetër. Edhe ne duhet të jemi pjesë e bisedimeve”, thotë ushtari ukrainas Volodymyr.

Vëzhguesit thonë se Rusia po përpiqet të negociojë të ardhmen e Ukrainës pa përfshirë Ukrainën, e cila nuk ka qenë e pranishme në shumë prej bisedimeve të nivelit të lartë.

Por analistët nuk mendojnë se konflikti është i pashmangshëm, pjesërisht për shkak të përpjekjeve diplomatike të udhëhequra kryesisht nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Ky është ende një konfrontim që nuk ka kaluar në konflikt të hapur. Mendoj se ekziston ende mundësia për të shmangur konfliktin, pavarësisht se sa e largët mund të duket ndonjëherë kjo mundësi. Fakti është se ne ende po flasim për të”, thotë Andrew Lohsen me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Homologu rus i Blinkenit tha javën e kaluar se Moska nuk priste përparim nga raundi i fundit i bisedimeve, por donte një përgjigje me shkrim ndaj propozimeve të saj, të cilat përfshinin kërkesën që NATO-ja të reduktonte një pjesë të pranisë së saj në Evropën Lindore dhe të ndalonte hyrjen e Ukrainës në aleancën e sigurisë.

Disa analistë thonë se Putini po bën një lojë afatgjatë.

“Putini është entuziast i xhudos. Dhe në xhudo, shumë rrallë fiton me një gjuajtje, dhe shumë herë fiton me grumbullimin e pikëve. Nuk ka nokaut. Ai nuk ka fituar. Por ai e vuri në provë NATO-n. Dhe NATO tregoi një lëkundje dhe ndarje të madhe. Sa herë që ai bën diçka ose thotë diçka, presidenti amerikan nxiton të përgjigjet, ose të thërrasë apo të planifikojë një samit. Dhe ka shumë pika të tjera që ai ka akumuluar në këtë mënyrë. Dhe nuk ka dyshim se ai po fiton”, thotë Leon Aron me Institutin American Enterprise.

Ndërkohë, në kufirin Rusi-Ukrainë, lufta duket se është pranë.

 

Fraksion.com