AktualitetPolitikëTë fundit

Presidenti Meta takon SHSHPFA: Diskutuam për situatën në dhe rreth Ukrainës dhe koordinimin me Aleancën

Presidenti Ilir Meta ka thirrur në takim këtë të martë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Bajram Begaj.

Në qendër të diskutimit ka qenë situata e krijuar në Ukrainë që ka shqetësuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Bashkimin Evropian dhe NATO-n, të cilat i tremben një agresioni nga Rusia.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit thotë se në këtë takim është diskutuar edhe shqetësimi se “çfarë implikimi mund të ketë edhe për mbarë Europën dhe për rajonin tonë”, kërcënimi nga agresioni rus në Ukrainë.

“Ndamë shqetësimin e përbashkët me të gjithë partnerët tanë të NATO-s për kërcënimin e agresionit rus ndaj këtij vendi mik, të pavarur dhe sovran, si edhe për implikimet që ky kërcënim, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, mund të ketë edhe për mbarë Europën dhe për rajonin tonë”, thekson kreu i Shtetit.

Në këtë kontekst, Meta thotë se “nënvizova rëndësinë e koordinimit sa më të efektshëm me Aleancën, si dhe marrjen e masave për vijimin e reformave në funksion të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse”.

 

POSTIMI I PLOTE

Sot pata një takim pune mjaft të frytshëm me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralmajor Bajram Begaj.

Diskutuam për situatën në dhe rreth Ukrainës. Ndamë shqetësimin e përbashkët me të gjithë partnerët tanë të NATO-s për kërcënimin e agresionit rus ndaj këtij vendi mik, të pavarur dhe sovran, si edhe për implikimet që ky kërcënim, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, mund të ketë edhe për mbarë Europën dhe për rajonin tonë.

Në këtë kontekst, nënvizova rëndësinë e koordinimit sa më të efektshëm me Aleancën, si dhe marrjen e masave për vijimin e reformave në funksion të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse.

 

Fraksion.com